Ati ynë i shenjtë Nikolla ishte ushtar në armatën bizantine, nën mbretërimin e Nikiforit I (802-811). Gjatë fushatës së ndërmarrë kundër bullgarëve, ndërsa ishte në rrugë për të shkuar pranë shokëve të tij, Nikolla u ndal për të kaluar natën në një bujtinë. Sapo u shtri aty, vajza e re e të zotit të bujtinës, e nxitur nga një dëshirë demoniake, hyri pa turp në dhomën e tij dhe u përpoq ta joshte e ta tërhiqte në mëkat.
Por, i krishteri i virtyshëm e dëboi, duke i kujtuar asaj se njeriu i bashkuar me Zotin me anë të besës nuk i takon më vetes që të kryejë imoralitet dhe se trupi i tij është tempull i Shpirtit të Shenjtë dhe se duhet ta lavdërojë Perëndinë në trupin e tij, duke e ruajtur të pastër e të dëlirë (1 Kor. 6:19-20). Natën që pasoi, iu shfaq një engjëll në një vizion të frikshëm, për t’i parathënë se, pas një fitoreje të shkëlqyer mbi bullgarët, bizantinët do të masakroheshin në masë, kurse ai do të ruhej për shkak të sjelljes së tij të virtytshme si ushtar i mirë i Krishtit.
Në fakt, në pranverën e vitit 811, perandori Nikifor dhe trupat e tij korrën një fitore të madhe mbi Khanin bullgar, Krumin. Pas fitores e ndienin veten të sigurt dhe e ulën vigjilencën. Kështu, u kapën në befasi në një mal, më 26 korrik 811 dhe u masakruan të gjithë, deri tek ushtari i fundit, duke përfshirë edhe perandorin. I ruajtur në mënyrë të mrekullueshme, Nikolla falënderoi Perëndinë dhe, duke kuptuar kotësinë e gjërave të kësaj jete, u bë murg dhe ndriçoi me anë të veprave të tij të shkëlqyera ushtrinë e shërbëtorëve të Perëndisë.
Mbrapa