
I lindur në një fshat afër, ishte prift në Neapoli (Nevsehir) të Kapadokisë, në mes të Azisë së Vogël. Por u martirizua në fshatin Malakopeja, 29 km në jug. Malakopeja e historisë së Bizantit dhe epopeve të akritëve (ruajtësve të kufijve) tani quhet Derinkuju (turqisht do të thotë: pusi i thellë). Atje banonin shumë të krishterë përpara shkatërrimit të vitit 1922. Fshati dispononte një katakomb fantastik me një qytet të nëndheshëm kolosal dhe një labirint me shtrirje 4 km2 dhe 18 kate!
Pra, shenjtin, i cili ishte plak dhe shëndetlig, e ftuan më 1797 për të meshuar në Malakopejë, e cila kishte mbetur pa klerik, për arsye të persekutimit të egër të atëhershëm kundër të krishterëve. Ai nuk e mori parasysh rrezikun dhe u nis. Por para Malakopejës turq fanatikë e sulmuan, e vodhën, e zhveshën dhe i prenë kokën.
Pas katër ditësh të krishterë të fshehur nëpër shkretëtira e gjetën trupin e tij, i bënë shërbesën dhe e varrosën shpejt e shpejt atje në vend.
Më vonë, neapolitët e morën lipsanin e paprishur që binte erë miro, sipas nxitjes së hieromartirit, i cili iu shfaq në ëndërr një të veje shpresëtare dy herë derisa ajo u bind. Lipsani u vendos në shtëpinë e atë Vasilit, bashkëmeshtar i martirit të ri, më pas u vu në kishën ku bashkëmeshonin dhe, mbas ikjes së të krishterëve (1924), në kishën e shën Efstathit në Athinë. Bile gjatë lundrimit për në Greqi lipsani qetësoi furtunën.
Disa nga mrekullitë e shpeshta të bëra pas vdekjes së tij deri tani: I ndëshkoi me sëmundje të gjithë kryepleqtë, sepse kishin shpifur për papa Neofitin, të birin e papa Vasilit, sikur ai gjoja shfrytëzonte lipsanin e shenjtë, por ai i shëroi kur ata u penduan, sapo ai iu shfaq dhe i qortoi.
Një prift i Malakopejës, i cili mori fshehurazi një copë nga lipsani, u sëmur familjarisht dhe e ktheu atë i frikësuar, pasi u urdhërua nga shenjti në ëndërr. Në periudhën e urisë (1903), vaji i kandilit të tij nuk mbarohej. Bëri të binte shi në një periudhë thatësire. Shëroi sterilitetin, lëngatën (dobësimin e përgjithshëm të organizmit), sëmundjet nervore dhe shumë lloje të tjera sëmundjesh.