
U martirizua në kohën e Domitianit (81 – 96). Ishte nga Iraklia (ndoshta e Trakës, në brigjet e Propondidhës). Predikoi në Markinopol të Trakës, në jugperëndim të bregut të Varnës në Bullgarinë e sotme. Kishte marrë mësime dhe ishte pagëzuar nga Apostull Pavli (29 Qershor).
U spiunua, u kap dhe e pranoi tërësisht akuzën dhe dëshmoi pa u tundur se do të martirizohej. E goditën të gjithën me sfera plumbi dhe e burgosën. Por iu shfaq Pavli, e përshëndeti dhe i paratha se do ta dëshmonte Jisuin dhe në vendin e saj. Për një javë pushtetari e hodhi në kaminë (furrë) për një kohë të gjatë, prej nga doli e padjegur, kështu që u habitën të gjithë. Kur po lutej, një erë e madhe me breshër të fortë, i shoi zjarret dhe shpërndau ata që ndodheshin së bashku me arkondin, të cilët u rrezikuan. I mahnitur e pyeti më pas për të dhënat e saj. Për arsye se ajo heshtte, ia treguan të tjerët.
Kështu e çoi tek sunduesi i Iraklias, ndërsa atëherë një engjëll e siguroi se do t’i ndodhej afër. Atje e varën në një rrotë që i shqyente mishrat, të cilat binin erë të mirë, ndërsa ajo falej pandërprerë. Thonin pra se dukej sikur vuante një qenie tjetër jonjerëzore. Kur u dha në kafshët e egra, një luan tejet i madh foli si njeri për ta lavdëruar atleten dhe për të sharë kriminelët, e rrethoi së bashku me një luaneshë duke e vënë në mes për ta nderuar. Tirani i mundur urdhëroi t’i pritej koka, ku në vend të gjakut buroi qumësht.
Kokën dhe trupin ia futën në një thes me një peshë të rëndë plumbi, dhe e hodhën në det, por engjëlli i nxori lipsanet e nderuara më në perëndim, në Redhesto, për t’i lyer me miro dhe për t’i varrosur me nderime të një aristokrate. Sipas të dhënave të ndryshme, ishte nga Sevastia e Frigjisë, në brendësinë perëndimore të Azisë së Vogël, dhe pasi u dëbua nga Markianopoli, arriti në Iraklia ku u var nga koka dhe u coptua me thonj të hekurt para se t’i pritej koka.
Sevastiania (Sebastiana), greqisht do të thotë e respektuar.
Mbrapa
