Oshënare Kseni (shek. i 5-të), e quajtur Eusebia në Pagëzimin e shenjtë, u rrit në gji të një familjeje të krishterë fisnikësh nga Roma. Kur erdhi dita e martesës që prindërit e saj ia kishin imponuar, sado që ajo kishte dëshirë t’ia përkushtonte virgjërinë Jisu Krishtit u arratis nga shtëpia bashkë me dy nga shërbëtoret e saj dhe u nisën për në Aleksandri. Kur arritën në ishullin Kos, e ndryshoi emrin në Kseni (e huaj) dhe, duke ngritur duart drejt Perëndisë, iu lut t’i dërgonte, ashtu si shën Theklës (24 shtator), një Pavël tjetër, që ta drejtonte në udhën e shpëtimit. Një plak fisnik dhe i nderuar, po me të njëjtin emër, Pavël, iu shfaq dhe e drejtoi në qytetin e Melisas, në Karie. Këtu i dhuroi për atë vetë dhe për dy shërbëtoret e saj, disa qeli në afërsi të manastirit ku oshënarja u bë igumene. Në këtë vend, oshënare Kseni bëri një jetë qiellore, duke u ushtruar tej mase, aq sa u frikësuan edhe demonët. Ushqehej një herë në dy-tri ditë me pak bukë, që e ëmbëlsonte me lotët e saj, duke u lutur dhe duke iu shmangur çdo rasti lavdie, u shërbente të varfërve dhe nxënëseve të saj, të cilat shtoheshin gjithnjë nga dita në ditë. Ndërtoi pranë qelisë së saj një kishë kushtuar Shën Stefanit dhe shumë shpejt vendi u bë një manastir i organizuar.

Pasi jetoi me të vërtetë si e huaj, oshënare Kseni fjeti në paqe, duke u lutur për motrat e saj dhe shpirti i saj u nis me gëzim për në atdheun qiellor. Si shenjë që oshënarja ishte pëlqyer nga Perëndia, u shfaq një kryq i ndritshëm, më i shkëlqyer se dielli, i rrethuar nga një kurorë yjesh, që rrethonin një grup tjetër prej shtatë yjesh; ky kryq e ndoqi kortezhin e funeralit të saj dhe u zhduk kur trupi i shenjtores u fut në dhé.




Mbrapa

PayPal