Shën Matrona ishte shërbëtorja e një gruaje fisnike hebreje me emrin Pautila, e cila ishte martuar me një gjeneral të garnizonit perandorak të Selanikut. E adhuronte Jisu Krishtin si Perëndi të vërtetë dhe i lutej në fshehtësi, për të mos tërhequr vëmendjen e zonjës së saj. Kur ajo shkonte përditë në sinagogë, Matrona e shoqëronte deri te porta, pastaj fshihej, që të shkonte menjëherë në kishë për t’u lutur, dhe kthehej kur duhej të dilte Pautila.

Por kur erdhi dita e Pashkës së judenjve, Matrona, e cila dëshironte të merrte pjesë në shërbesat e Ngjalljes së Zotit, Pashkës së vërtetë, e cila na kaloi nga vdekja në jetë, shkoi në kishë, por vonoi të kthehej në sinagogë dhe një nga shërbëtoret e denoncoi. Pautila u zemërua së tepërmi dhe i tha se nëse Matrona e kishte gënjyer në këtë pikë, patjetër që edhe shërbimi i saj do të ishte keqbërës, ndaj u dha urdhër shërbëtorëve që ta lidhnin te një fron dhe ta godisnin me shkopinj.

Akuzave të Pautilas, Matrona iu përgjigj me këto fjalë: “Po, jam e krishterë, por gjithnjë u jam bindur urdhrave të tu, përveçse për çështje besimi. Çfarë i ka munguar shërbimit tuaj që po ma katandisni kështu trupin? Nëse doni të më vdisni, sepse adhuroj Jisu Krishtin, e keni pushtetin mbi jetën time, por s’keni fuqi mbi shpirtin tim, i cili i përket të vetmit Perëndi. Nuk i frikësohem asnjë vuajtjeje; sepse Jisui, Shpëtimtari dhe Mësuesi im, më ndihmon!”

Për tri ditë e mbyllën në qeli dhe kur e hapën, Pautila u çudit, pasi nuk i gjeti asnjë gjurmë plage. Qëndronte më këmbë, nuk ishte e fashuar, fytyra i shkëlqente dhe këndonte lavdërime për Perëndinë. Urrejtja e zonjës u ndez edhe më shumë dhe urdhëroi që këtë radhë ta fshikullonin më fort. Tri herë u përsërit shërimi i plagëve të saj në mënyrë të mrekullueshme, por në fund Matrona, duke dhënë shpirt, tha: “O Zoti Jisu, Shpëtimtar i panjollë që për Ty po vuaj këto tortura, tani po e jap shpirtin tim në duart e Tua, denjo të më presësh në shoqërinë e martirëve të Tu!”.

Që të mos e akuzonin për vrasje, Pautila ia hodhi trupin nga maja e një shkëmbi, që të tjerët të besonin se kishte qenë viktimë e një aksidenti. Më pas episkopi Aleksandër (fillimi i shek. 4), e solli lipsanin e saj të çmuar brenda në qytet, pikërisht në vendin ku u ndërtua kisha kushtuar shën Matronës.




Mbrapa

PayPal