
Është zakon që pas festave të mëdha të Zotit të kremtojmë atë që u dërgua nga Perëndia apo kontribuoi në to. Kështu edhe pas të kremtes së Ungjillëzimit të kremtojmë kryeengjëllin Gabriel për lajmin e shpëtimit.
Që nga fillimi dhe përgjatë gjithë historisë, ky prijës i Fuqive të Patrup ka qenë për ne njerëzit Engjëlli i mëshirës dhe i dashamirësisë hyjnore. Qenie e zjarrtë, pa të keqe dhe vazhdimisht e përkushtuar te soditja e lavdisë hyjnore, Kryeengjëlli Gabriel/Gavriil u caktua nga Zoti si “shërbëtor i ngarkuar me një detyrë dhe u dërgua në shërbim për ata që duan të trashëgojnë shpëtimin” (Hebr. 1:14).
Sipas shën Proklit të Konstandinopojës, emri i tij do të thotë: “Perëndi dhe njeri” dhe ishte i përkushtuar për të lajmëruar të gjitha misteret që bashkëvepronin për përgatitjen e Mishërimit të Zotit tonë Jisu Krisht. Kulmi dhe fundi i misionit të tij ishte: “Gëzohu!” që tha tek Hyjlindësja Mari, formulë që u bë më pas shprehje lavdërimi dhe i veprimit të hirit për të gjithë ata që trashëguan shpëtimin dhe u përpoqën të imitojnë këtu mbi tokë jetën e Engjëjve.


Mbrapa
