
Shën Abrami u lind në Edesë të Mesopotamisë, në fund të shekullit III. Ndonëse e respektonin përkushtimin e të birit, prindërit e martuan kundër dëshirës së tij. Ditën e dasmës, siç ishte duke ndenjur i vetëm, zemrën e Abramit e shkëlqeu një rreze e hirit të pakrijuar dhe, i ndriçuar përbrenda, djaloshi la nusen, prindërit, pasuritë dhe çdo përkujdesje të botës për t’u tërhequr në një qeli i izoluar. Qëndroi atje për shtatë ditë, në lutje pa pushim, pa ngrënë e pa pirë.
Prindërit e kuptuan se Perëndia e kishte zgjedhur për “pjesën më të mirë”, prandaj e lanë të qetë në udhën e tij, vetëm me Perëndinë, në një strehë të stërvogël me një dritare të ngushtë sa për t’i futur pak bukë e ujë, thjesht nevojat e natyrshme. Abrami lulëzoi në fshehtësi për 50 vjet, duke i ndriçuar ata që gjendeshin përreth tij me rrezatimin e virtyteve të tij, duke e mbajtur botën në lutje.
Qyteza e Beth-Kidona në krahinën e Tenias, në Helespont (deti Marmara), pranë Lampsakës, banohej ende në atë kohë nga idhujtarët, të cilët e dëshpëruan episkopin e zonës për shkak të mizorisë së tyre. Por një ditë, të ndriçuar nga Shpirti i Shenjtë, episkopi bashkë me klerin shkuan tek Abrami që t’i kërkonin të bëhej prift e të predikonte në atë zonë. Pas shumë përgjërimesh, madje dhe presionesh, shenjti u bind dhe me lot braktisi qelinë. U rrah, u përbuz dhe u fye nga njerëzit zemërgur, por nuk u dorëzua në përpjekjet e tij, nuk i la lutjet për shpëtimin e tyre për tre vjet me radhë, derisa arriti të kthente në besim e të pagëzonte më shumë se një mijë njerëz atje.
Që t’i shpëtonte lavdisë së botës, u tërhoq fshehurazi nga dëshira e zjarrtë që kishte për vetmi. U kthye në vendin ku jetonte si eremit, dhe demonët nuk vonuan shumë për t’i nxitur luftë pa mëshirë.
Pas njëfarë kohe i vdiq i vëllai, duke lënë jetime një vajzë 7-vjeçare, Marinë, të cilën shenjti e mori pranë vetes, i dha një qeli afër së tijës dhe e la të lulëzonte më Perëndinë, duke e mësuar me mësimet e nevojshme përmes një dritareje të vogël të kasolles. Vajza u rrit dhe në moshën 20-vjeçare shkëlqeu nga virtytet në të gjitha veprat me dashuri për Perëndinë. Por një ditë, ajo ra në mëkat trupor me një murg të pacipë, i cili vinte shpesh për të vizituar shenjtin.
Në vend që të zgjohej dhe t’i lutej Krijuesit që u mishërua për shpëtimin e mëkatarëve, Maria ra në një mëkat edhe më të tmerrshëm, në dëshpërim. Djalli e bindi që Perëndia nuk mund të kishte mëshirë për të, sepse shumë turpshëm e kishte njollosur virgjërinë e saj dhe skimën engjëllore. Kështu, në dëshpërimin e saj, shkoi në qytetin e afërt dhe iu dorëzua prostitucionit. Për më shumë se dy vjet, ajo binte në humnerën e humbjes, ndërsa Abrami shumëfishonte lutjet që Perëndia t’i tregonte se ku ishte fshehur e mbesa.
Më në fund mësoi nga disa udhëtarë se ku gjendej. U vesh si ushtar dhe shkoi në vendin e shthurur ku jetonte Maria. Përgatiti një festë, hëngri mish dhe piu verë për herë të parë pas 50 vjetësh, pastaj bashkë me vajzën shkuan në dhomën tjetër. Si u sigurua se Maria nuk mund të largohej, i tregoi së mbesës se kush ishte. Maria u shtang nga turpi dhe befasia, dhe nuk i ngriti sytë lart. Por shenjti i foli me butësi, pa e qortuar. I përlotur, i kujtoi bukuritë e jetës asketike dhe të virgjërisë dhe e bindi se zemërgjerësia është pafundësisht edhe më e madhe se mëkatet më të mëdha, dhe se i vetmi mëkat i pafalshëm është dëshpërimi.
Për t’i dhënë kurajë, ai i tha: “Le të shkojmë, bija ime, kthehemi në qelinë tonë. Le të jetë mbi mua faji yt. Unë do të jap llogari për këtë para Krishtit ditën e gjyqit, ndërsa ti vetëm kthehu në vendin ku jetonim, rifillo asketizmin tënd, lutjen, qëndro sërish para Zotit të mëshirave”. Duke i dëgjuar këto fjalë, lotët e nxehtë të pendimit rrodhën nga fytyra e Marisë dhe pranoi të largohej fshehurazi nga shtëpia e turpit, duke braktisur kështu jetën e mëkatshme. U mbyll në një qeli të vogël dhe me zell e lot jo vetëm që mori faljen e mëkateve, por mori nga Perëndia karizmën (hirin) e mrekullibërjes. Abrami bëri një jetë të pëlqyeshme para Perëndisë dhe fjeti në paqe në vitin 366. Pesë vjet pas fjetjes së tij fjeti më Zotin edhe Maria.