Shën Jeroni ishte nga Tiani (Kapadoki). Jetonte në thjeshtësi dhe qetësi duke punuar arën e tij në kohën e sundimit tiranik të Dioklecianit dhe Maksimianit (rreth 290). Të pakënaqur me persekutimin e të krishterëve, këta dy tiranë rekrutonin me dhunë në ushtrinë e tyre tërë njerëzit me vlerë dhe të fuqishëm, për të kënaqur etjen për pushtime. Meqë Jeroni shquhej në tërë krahinën e Kapadokisë për fuqinë dhe burrërinë e tij, guvernatori Lisias vendosi ta fuste në trupat e tij.

Një ditë, kur shenjti punonte në arë, dërgoi dy ushtarë për ta marrë. Kur i pa të vinin, shenjti kuptoi menjëherë se përse bëhej fjalë dhe se rekrutimi nuk kishte të bënte me përballjen me rreziqet e jetës ushtarake, por, mbi të gjitha, do ta detyronin të mohonte besimin te Krishti për të sakrifikuar te perandori, i cili konsiderohej si perëndi nga romakët. Kapi dorezën e drunjtë të belit dhe iu vërsul ushtarëve, të cilët ia mbathën të plagosur. Por u kthyen më vonë me përforcime dhe e gjetën shenjtin të fshehur në një shpellë me 18 të afërm dhe miq. Për të shmangur një konflikt të përgjakshëm, Jeroni, me nxitjen e vëllait të tij, Qiriakos, pranoi të dorëzohej te ushtarët dhe ta çonin te guvernatori në Militinë.

Kur ra mbrëmja, një engjëll iu shfaq shenjtit dhe e siguroi se nuk do ta udhëhiqte drejt betejave për një mbretëri tokësore, por drejt një beteje përfundimtare, të lavdishme, që do t’i hapte portat e Mbretërisë së përjetshme. Të nesërmen në mëngjes, i mbushur me gëzim, shenjti u tha prindërve, që i kishin arrestuar bashkë me të, se Perëndia i kishte zbuluar se cili qe misteri që Providenca kishte përgatitur për të dhe se kjo udhë e robërisë do shërbente për ta çuar në Qiell.

Kur e çuan në Militinë, u burgos bashkë me 33 të krishterë të tjerë. Kohën e kalonin duke fuqizuar besimin dhe duke i dhënë zemër njeri-tjetrit për jetën që do t’i ofronin Perëndisë si blatë lavdërimi. E nxorën para guvernatorit, i cili e akuzoi si kryeneç, pasi nuk u ishte bindur urdhrave të tij dhe kishte përdhosur idhujt. Përveç kësaj, kur mësuan se ai ishte Jeroni që kishte rrahur ushtarët, në vend që tirani të admironte kurajën e shenjtit, urdhëroi ta torturonin dhe t’ia prisnin dorën. Si i duroi me gëzim këto keqtrajtime, e futën në burg, në pritje të një gjyqi të dytë. Një nga shokët e tij, Viktori, i cili qe edhe i afërm me Jeronin, nga frika e torturave që e prisnin, i kërkoi fshehurazi rojës së burgut ta linte të ikte në këmbim të arës.

Kur ushtari i Krishtit e mori vesh arratisjen e Viktorit, qau, vajtoi për shortin e trishtueshëm të shokut të tij, i cili, për të shpëtuar jetën e tij të përkohshme, u privua nga jeta e përjetshme dhe shijimi pa fund me të zgjedhurit, duke u dënuar në flakët e ferrit. E vizituan shokët e tij, të cilët ishin ende të lirë dhe u besoi dëshirat e fundit. I kërkoi motrës së tij, Theotimës, të celebronte për vit kujtimin e tij dhe e porositi t’ia çonin lipsanin e dorës nënës së tij të varfër dhe të verbër, si ngushëllim në dhimbjen e saj.

Ditën e katërt, e nxorën përsëri para Lisias bashkë me shokët e tij. Më kot e rrahën me shkopinj, pastaj urdhëruan t’ia prisnin kokën. Duke ecur drejt vendit të dënimit, martirët këndonin psalmin e gjatë të shërbëtorëve besnikë të Perëndisë: “Lum ata që janë të paqortueshëm në udhë, që ecin sipas Ligjit të Zotit” (Ps. 118).

Kohë më vonë, të afërmit e shenjtit kërkuan t’i blinin lipsanin. Guvernatori lakmitar përfitoi nga rasti dhe kërkoi ar sa pesha e tij. Guvernatori pranoi gjithashtu të ndërtohet një kishë në nder të shenjtorit në vendet e martirizimit të tij.




Mbrapa

PayPal