Lindi në Selanik në fillim të shekullit të 4-t. Kur u mblodh Sinodi i Parë i Nikeas, ai ishte ende adoleshent, por më vonë u rendit në radhët e klerikëve të Kishës së Konstandinopojës. Dallohej për pastërtinë e jetës së tij, për butësinë dhe për mësimin e shkëlqyer të besimit orthodhoks. Prandaj, edhe pse në moshë të re, u dorëzua dhjak e më pas prift nga patriarku Aleksandër. E donin tërë besimtarët e kryeqytetit, prandaj e bënë kryepiskop më 340, pas fjetjes së Aleksandrit, i cili e kishte caktuar si pasues. Zgjedhja e tij nxiti urrejtjen e arianëve, të cilët filluan të shpifnin për të te perandori Konstanc.
Në atë kohë perandori ndodhej në Antioki, por u kthye si i tërbuar në kryeqytet kur mësoi për dorëzimin e të riut orthodhoks. Mblodhi një këshill episkopësh arianë, i cili e shkarkoi Pavlin nga funksionet dhe vendosën në vend të tij episkopin e Nikomedisë, Efsevin, një nga krerët e herezisë. Atëherë arianizmi dukej se po triumfonte, përderisa perandori dhe kryepiskopi i Konstandinopojës ishin partizanë të tij të flaktë. Me të mbërritur, Efsevi filloi të dëbonte mbrojtësit e Sinodit të Nikeas.
Megjithatë, Perëndia nuk e braktisi Kishën e tij: Efsevi vdiq pas një viti dhe orthodhoksët e qytetit kërkuan kthimin e Pavlit, i cili ishte strehuar në Romë tek papa orthodhoks Juli, bashkë me shën Athanasin e Aleksandrisë, i cili edhe ai ishte internuar për emrin e Krishtit. Por, kur erdhi në fron, rrëfyesi i shenjtë e gjeti veten mes trazirash popullore, sepse edhe arianët kishin zgjedhur e dorëzuar një tjetër episkop si pasues të Efsevit, heretikun Makedoni, i cili mbështeste blasfeminë kundër hyjnisë së Shpirtit të Shenjtë, ndërkohë që Ariosi ishte kundër hyjnisë së Fjalës. Kur perandori i mësoi këto, i dha urdhër Hermogjenit, komandantit të ushtrisë së Thrakës, të hynte me trupat e tij në kryeqytet dhe ta dëbonin sërish me dhunë Pavlin. Por populli ngriti krye, pati përleshje të përgjakshme nëpër rrugë dhe vetë Hermogjeni mbeti viktimë e zemërimit të turmës.
Kryengritësit, pasi e vranë, e hoqën zvarrë trupin e tij dhe e dogjën. Ata e vendosën Pavlin në fron, por për pak kohë, sepse perandori erdhi në Bizant, dëboi Pavlin, dhe e detyroi sërish të gjente strehim në Romë. Ai e derdhi zemërimin edhe mbi Makedonin, duke e akuzuar se ishte shkaku i trazirave. Në Perëndim, Pavli pati mbështetjen e perandorit Konstant në Treves dhe, falë letrave qortuese që papa u drejtonte episkopëve të Lindjes për qëndrimin që mbajtën ndaj shën Athanasit dhe ndaj tij, Pavli mundi të rifitonte vendin e tij mes gëzimit të popullit. Por Konstanci, që nuk e pushonte luftën e tij kundër besimit orthodhoks, ngarkoi prefektin Filip ta dëbonte prapë Pavlin nga qyteti e të vinte Makedonin, por pa u përsëritur trazirat e shkaktuara nga ndërhyrja e Hermogjenit. Ndaj Filipi përdori një dredhi për të tërhequr shën Pavlin te godina e banjave, me pretekstin për ta nderuar, dhe e dërgoi fshehtazi në internim në Selanik. Prej andej episkopi fatkeq shkoi sërish në Romë.
Më 347, me rastin e Sinodit të Sardikës, Athanasi dhe Pavli mundën të ringjiteshin në fronin episkopal. Për tre vjet Kisha e Konstandinopojës njohu, rreth bariut të saj, paqe dhe sigurinë e Orthodhoksisë. Por zgjati pak, sepse më 350 kont Magnenci u ngrit kundër perandorit orthodhoks të Perëndimit, Konstantit, dhe u shpall perandor nga trupat e tij.
Pretendimet e tij për një perandori universale detyruan edhe perandorin tjetër, Konstancin, të niste një luftë kundër tij dhe, pas fushatave të vështira, perandori heretik u nis për në Lion dhe, për përfitimin e tij, bëri unifikimin e perandorisë. Ekuilibri që ishte vendosur deri atëherë nga prania e një perandori orthodhoks në Perëndim ishte prishur. Kontanci mundi të riniste lirshëm persekutimet kundër mbrojtësve të hyjnisë së Birit të Perëndisë. Kapi Pavlin e shenjtë dhe e lidhi me zinxhirë të rëndë. E çoi në fillim në Singar, pastaj në Emesa e më pas në Kukuzë, në Armeninë e largët. Dhe atje, kur po kremtonte Liturgjinë Hyjnore, episkopi i shenjtë u sulmua nga arianët, të cilët e mbytën me omoforin e tij (mes 351 dhe 357).