Këta martirë të shenjtë jetuan gjatë mbretërimit të perandorit Deci (250) dhe qeveritarit Sekundi në qytetin e Emesit. Prindërit e Galaktionit, Klitofoni dhe Lefkipa ishin paganë të pasur të qytetit. Por kishin vetëm një brengë, ata nuk kishin fëmijë. Një herë në qytet, kishte ndaluar për disa ditë një murg me emrin Onufër.

Ai mblidhte lëmoshë për të varfërit dhe një ditë trokiti edhe në portën e Lefkipës. Kur pa fytyrën e saj të vrarë, ai i kërkoi arsyen. Me hirin e Perëndisë, ai i mësoi besimin e vërtetë dhe e pagëzoi. Pak kohë më vonë, ajo lindi dhe ndihmoi edhe bashkëshortin e saj të kthehej në besimin e vërtetë.

Edhe fëmijën e tyre e pagëzuan dhe i vunë emrin Galaktion. Kur ai u bë 20 vjet, mbeti jetim nga nëna dhe i ati vendosi ta martonte me një vajzë pagane të quajtur Epistima. Nga bindja pranoi, por refuzoi t’i afrohej vajzës, nga frika se mos e njolloste Pagëzimin e shenjtë. Me ndihmën e Galaktionit, edhe Epistima u bë e krishterë.

Tetë ditë pas pagëzimit të saj, Epistima pa në ëndërr lavdinë që ruhej në qiej për ata që e ruanin pastërtinë e tyre për Perëndinë. Ia tregoi edhe bashkëshortit të saj dhe që të dy vendosën të jetonin në pastërti deri në fund të jetës së tyre. Tërë pasurinë e ndanë tek të varfërit dhe u nisën në shkretëtirën e Sinait. Kur arritën në vendin e quajtur Puplion, gjetën një grup prej 12 eremitësh të cilët e morën me vete Galaktionin, ndërsa Epistimën e dërguan tek katër gra askete diku atje pranë. Në atë periudhë tirani kërkoi që t’i dëbonin murgjit nga shkretëtira.

Që të dy, Galaktionin dhe Epistimën i kapën dhe i nxorën përpara qeveritarit Ursus. I rrahën mizorisht dhe i nxorën të zhveshur para të gjithëve. I shpuan me gozhdë në thonjtë, ua prenë duart dhe këmbët. Në fund, i vranë me shpatë. Shën Galaktioni ishte 30 vjet dhe shën Epistima 16. Ata që refuzuan të bashkoheshin në mish në këtë jetë kalimtare, u bashkuan përjetësisht me Perëndinë.




Mbrapa

PayPal