Në kohën që përgatitej të shkonte në Romë e të luftonte kundër rivalit të tij, Maksentit, Konstandini i Madh pa një natë shenjën e Kryqit jetëbërës t’i shfaqej në formë të shndritshme në qiell të rrethuar nga këto fjalë: “Me këtë shenjë do të fitosh”. I zbukuroi armatimet me shenjën e kryqit dhe korri fitore brilante, gjë që i lejoi të merrte pushtetin mbi gjithë perandorinë romake dhe të siguronte triumfin e Krishterimit.
Në vitin e njëzetë të mbretërimit të tij, Konstandini dërgoi nënën e tij Elena në Jerusalem, që të nderonte Vendet e Shenjta, të gjente vendin e Varrit të Shenjtë dhe të Kryqit, pasi punimet për zgjerimin e qytetit nga Adriani i kishin fshehur nën rrënoja. Me ndihmën e traditave gojore, shën Elena gjeti të tre kryqet, dy të kusarëve dhe Kryqin e Zotit, si dhe tri gozhdë që kishin mbërthyer gjithashtu trupin e Zotit. Por nuk mundi dot të dallonte se cili ishte Kryqi i Zotit.
Shërimi i një gruaje që ishte në prag të vdekjes me anën e Kryqit të Zotit bëri që patriarku i Jerusalemit ta dallonte nga dy të tjerët. Atëherë ai hipi mbi amvonën e kishës, dhe e lartësoi Kryqin para të gjithëve, ndërsa turma thërriste: “Mëshiro, o Zot!” Që nga kjo ditë, Etërit e Shenjtë vendosën ta kremtonin çdo vit Lartësimin e Kryqit të Nderuar në të gjitha kishat, jo vetëm në kujtim të kësaj ngjarjeje, por për të treguar se nga instrument turpi që ishte, Kryqi u bë lavdia dhe gëzimi ynë.
Duke kujtuar atë çka bëri patriarku dhe duke e lartësuar Kryqin në katër anët e horizontit me thirrjen “Mëshiro, o Zot”, të krishterët tregojnë sot se duke u ngjitur në Kryq, Krishti ka pajtuar me veten e Tij gjithçka, ka bashkuar të gjithë krijesën në tërë lartësinë dhe thellësinë e saj në trupin e Tij, që ne të shkojmë nëpërmjet Tij tek Ati. Kjo ditë është një ditë kreshme. Edhe nëse festa bie të dielën, do të mbahet kreshmë, por përdorim vaj dhe verë.




Mbrapa

PayPal