
Martiri i madh Theodhor ishte nga Efkaita, një qytet i vogël jo larg Amasisë. Kuraja dhe aftësia oratorike tërhoqën vëmendjen e perandorit Licinius (rreth 320), i cili e caktoi kapiten të përgjithshëm dhe guvernator të qytetit të Herakleas në Pont. Kur mori detyrën, Theodhori ua bëri të ditur të gjithëve se ishte i krishterë dhe një pjesë e madhe e qytetit u konvertua në besimin e vërtetë për shkak të fjalëve të tij shumë të frymëzuara. Thuhet se ai e siguroi vërtetësinë e besimit të krishterë që predikonte duke vrarë një dragua, që terrorizonte banorët e zonës. I informuar për këto ngjarje që kishin lidhje me të zgjedhurin e tij, perandori e thirri Theodhorin. Por ai u përgjigj duke e ftuar Liciniusin që të vinte në Heraklea, me idhujt e tij të artë e të argjendtë.
Theodhori i bëri një pritje madhështore perandorit, i inkurajuar nga një vizion, ku i bëhej e ditur se tani ishte koha për të dëshmuar Krishtin duke derdhur gjakun. Licinusi lavdëroi rregullin e madh që ekzistonte në qytet dhe i tha guvernatorit të shfaqte nderimin e tij ndaj perëndive të tij, duke i ofruar atyre një sakrificë. Theodhori i kërkoi dhe i mori idhujt e artë në shtëpinë e tij, që t’i bënte gati për sakrificën publike të së nesërmes. E kaloi natën duke i copëtuar dhe në mëngjes ua shpërndau arin të varfërve. Kur erdhi ora e caktuar për sakrificën, një centurion shkoi i shqetësuar te perandori dhe i bëri të ditur se kishin gjetur një endacak që kishte kokën e artë të një statuje të hyjneshës Artemida.
Perandori, që nuk mblidhte dot veten, urdhëroi t’ia sillnin aty Theodhorin dhe ta rrihnin me kamxhik të bërë me deje demi 700 herë në kurriz dhe 50 herë në stomak dhe pastaj ta godisnin në zverk me një kamxhik lëkure me zara plumbi. Pastaj i rropën lëkurën dhe, pasi i vunë pishtarë të ndezur në plagë ia rropën mishin me copa tullash. Gjatë këtyre torturave shenjtori thoshte vetëm: “Lavdi më Ty, o Perëndi!”.
E futën përsëri në burg dhe e lanë 7 ditë pa ngrënë, më pas e mbërthyen mbi një kryq jashtë qytetit. Ushtarët e pamëshirshëm i futën në bark një shufër hekuri që i çau zorrët dhe fëmijët zbaviteshin duke e gjuajtur me shigjeta e, në këtë mënyrë, i nxorën edhe sytë. I duruar gjatë torturave dhe zemërgjerë me xhelatët, sipas shembullit të Zotit dhe Perëndisë Jisu, Theodhori qëndroi i palëkundur në lutjen e tij dhe e inkurajoi shërbëtorin e tij, Varusin, që të linte edhe me shkrim detajet e martirizimit të tij.
E lanë të varur në kryq gjatë gjithë natës, derisa një engjëll i Perëndisë erdhi për ta zgjidhur, e shëroi nga të gjitha plagët dhe e inkurajoi të qëndronte i palëkundur deri në fund të betejës së tij. Në mëngjes, kur ushtarët mbërritën atje, shkuan te kryqi për ta zgjidhur kufomën, por, kur e panë krejtësisht të shëruar, u konvertuan në të krishterë, duke tërhequr me vete edhe pjesën tjetër të kohortës, ashtu si edhe ushtarët e tjerë që erdhën për t’i ndëshkuar.
Pas gjithë këtyre mrekullive, qyteti u ngrit në revoltë. Licinusi dërgoi ushtarë të tjerë për ta ekzekutuar pa humbur kohë Theodhorin, si shkakun e gjithë këtyre rrëmujave. Disa të krishterë donin ta pengonin këtë gjë, por shenjtori, duke e ndier se kishte ardhur ora për t’u bashkuar me Krishtin, i ndaloi dhe shkoi i gëzuar para xhelatëve. Pasi u armatos me shenjën e Kryqit jetëdhënës, uli kokën dhe mori me një goditje të shpatës kurorën e fitores.
Sipas udhëzimeve të shenjtit, të krishterët e çuan lipsanin e shenjtë me një kortezh triumfal në shtëpinë e tij atërore, në Efkaita. Mrekullitë e tij ishin aq të shumta ndër shekuj, sa qyteti mori emrin Theodhoropolis.