zekutuan. E kapën, pastaj u lirua mrekullisht dhe u hirotonis prift nga papa shën Miltiadhi dhe, pas vdekjes së këtij të fundit (314), u detyrua të pranonte të kryente funksionin e tij nga besimtarët, të cilët e çmonin për virtytet dhe dashurinë. Silvestri u bë imitues i denjë i apostull Pavlit me anë të kujdesit baritor për grigjën e tij shpirtërore dhe me anë të zellit për dogmat e shenjta. Ai organizoi me kujdes shërbimin për të varfrit, rregulloi zakonet e Kishës, në mënyrë që t’i diferenconte nga ato të paganëve dhe shkëlqeu me shumë mrekulli.

Kur Konstandini i Madh, me fuqinë e Kryqit të çmuar, mposhti Maksentin, hyri në Romë dhe nxori shumë dekrete në favor të Krishterimit; shën Silvestri mundi të dilte nga veprimtaria e tij e fshehtë dhe nisi të mësonte turmat për misteret e besës. Të shumtë ishin ata që u pagëzuan. Sa për perandorin, ai u katekizua nga shenjti dhe preferoi të pagëzohej në Jordan, në vendin ku u pagëzua Shpëtimtari. Me këshillat e shën Silvestrit, Konstandini ndërtoi në Romë shtatë bazilika të mëdha, për të celebruar denjësisht dhe pa pengesa të kremtet e Zotit dhe të martirëve të shenjtë.

Vetëm djalli, armiku i gjinisë njerëzore, kërcëllinte dhëmbët dhe mendonte për hakmarrje. I sugjeroi nënës së perandorit, shën Elenës, e cila atëherë ishte ende pasuese e judaizmit, të organizonte ballafaqim të madh publik të 12 skribëve më të ditur, drejtuar nga njëfarë Zambre, i cili qe magjistar, dhe 12 episkopëve të krishterë, nën drejtimin e Silvestrit. Gjithë kundërshtimeve të judenjve, i lumuri u rezistoi, në mënyrë të padiskutueshme, nëpërmjet fjalëve të profetëve, se tërë ngjarjet e Dhiatës së Vjetër dhe tërë premtimet e Perëndisë e gjejnë plotësinë e realizimit të tyre në Personin e Krishtit Shpëtimtar.

Pasi u tregoi se pohimi i tre Personave: Atë, Bir dhe Shpirt i Shenjtë, nuk kundërshton, por përforcon më shumë unitetin e një Perëndie në natyrën e Tij, ai iu përgjigj pyetjeve rreth Mishërimit me ndihmën e shembujve. Duke marrë në dorë një mantel të purpurt të perandorit, tha: “Ashtu si ndodh që ky stof pritet dhe punohet, ngjyroset me të purpurt, pritet e qepet që të shërbejë si stoli dhe emblemë e dinjitetit perandorak, ndërkohë që perandori nuk pëson asgjë, kështu duhej që dhe mishi i Krishtit, që u mbajt prej Tij, t’i nënshtrohej sprovës, por pa pësuar gjë Hyjnia e Tij, me qëllim që njeriu i tërë, shpirt e trup, të bëhet stoli e denjë e Lavdisë së Perëndisë.”

Një kundërshtimi tjetër për vdekjen e Krishtit, ai iu përgjigj: “Sepse njeriu ishte bërë i burgosur i vdekjes nga shkelja, dhe Perëndia nuk dërgoi ndonjë engjëll, por vetë Birin e Tij, për t’ia lënë si peng vdekjes. Por, kur u zbulua se ky peng ishte i paprishshëm, pasi ishte vetë Perëndia i mishëruar, ajo (vdekja) nuk e mbajti bashkë me Të dhe mbarë natyrën njerëzore, e bindur për pafuqinë e vet. Kështu me Krishtin njeri, njeriu i rënë jo vetëm që u çlirua nga vdekja, por fitoi qiellin dhe banimin me Perëndinë”. Atëherë skribët judenj mbetën pa fjalë para këtyre argumenteve.

Por, duke dashur të tregonte me gjithë këto fuqinë e Perëndisë së tij, Zambreja tha diçka magjike në veshin e një demi të egër, i cili ra i vdekur me një goditje dhe e detyroi Silvestrin të shtonte: “Perëndia im nuk jep vdekje, por jetën dhe ngjalljen” dhe, duke ngritur duart drejt qiellit, e ngjalli kafshën dhe e zbuti. Perandori dhe turma përgëzuan shenjtin, duke britur, dhe shumë prej tyre vendosën të pagëzoheshin. Shën Silvestri vazhdoi të punonte për lavdinë e Kishës dhe për mbrojtjen e dogmave të shenjta. Fjeti në paqe më 31 dhjetor 335.




Mbrapa

PayPal