
Oshënar Llazari ishte me origjinë greke. Kryepiskopi Vasil e ftoi në Novgorod, ku kaloi disa vjet nën drejtimin e tij shpirtëror. Kur ndërroi jetë hierarku, Llazari pa një vegim, ku ftohej të themelonte një manastir në ishullin e vogël Murmansk, në liqenin Onega, i banuar nga fise idhujtare. Pasi i dhanë një sipërfaqe toke, që i përkiste një fisniku të Novgorodit, Llazari u vendos atje, por u përball shpejt me armiqësinë e banorëve, që i vunë flakën qelisë së tij.
Shenjtori u strehua në një shpellë, pa arritur të merrte me vete ikonën e Fjetjes së Perëndilindëses, të cilën ia kishin dhënë ditën e qethjes murg. Pak më vonë, pa ikonën të varej në degët e një peme dhe dëgjoi një zë nga qielli, që e urdhëroi të ndërtonte aty kishë kushtuar Fjetjes së Hyjlindëses. Iu vu menjëherë punës dhe rrezatimi i virtyteve që e dallonin dhe shërimi i shumë të sëmurëve, falë lutjeve të tij, nuk vonuan të tërhiqnin vendasit, që u kthyen në besim.
Kur ishte episkop shën Moisiu i Novgorodit (25 janar), oshënar Llazari vizitoi qytetin dhe mori aprovimin për ngritjen e manastirit. Që nga larg filluan të vinin nxënës, të cilët në fillim e ndihmuan në ndërtimin e kishës kushtuar Ngjalljes së Llazarit. Më pas, dy nxënës me origjinë nga Kievi, Jonai dhe Efrosini, ndërtuan kishën e Fjetjes së Hyjlindëses, ndërsa një nxënës tjetër, Theodhosi, i cili erdhi nga Mali i Shenjtë, ndërtoi kishën e Shën Joanit. Kur shën Llazari ia dorëzoi shpirtin Perëndisë (1391), Theodhosi mori përsipër drejtimin e vëllazërisë dhe ia kushtoi manastirin Fjetjes së Hyjlindëses.
Gjatë shekullit të 15-të, i lumuri Athanas, që kishte famë për jetën e tij asketike, mori përsipër detyrat e igumenit dhe shkëlqeu me shenjtërinë e tij. Lipsani i tij nderohet në një paraklis përbri kishës së shën Llazarit, ku kishin vendosur lipsanin e shenjtorit themelues. Përbri arkës me lipsanin e Athanasit u vendosën edhe zinxhirët që ai mbante në trup.