
I lindur në Livadhia, në Beoti, në fund të shekullit të 3-të, nga prindër të krishterë, që i rrënjosën dashurinë për virtytin dhe zellin për të vërtetën, shën Rigini, me anë të Hirit të Perëndisë që jepte shumë fryte tek ai, u bë i njohur në të gjithë arkipelagun e Cikladeve dhe në pjesën tjetër të Greqisë.
Kur vdiq episkopi i Skopelos, ai u zgjodh si pasues nga i tërë populli entuziast i qytetit. Ndërkohë që herezia arianiste vazhdonte të bëhej pengesë pas Sinodit të Nikeas (325), u mblodh një Sinod tjetër i ri në Sardikë (Sofje të Bullgarisë), në vitin 343, gjatë të cilit shën Rigini u dallua për aftësinë e tij të madhe për të hedhur poshtë heretikët.
Kur u pohua plotësisht besimi i vërtetë për hyjninë e Birit të Perëndisë, ai u kthye në dioqezën e tij, por nuk mundi të shijonte paqen për një kohë të gjatë, ngaqë Julian Apostati nisi persekutimin kundër të krishterëve (361). Prefekti i Greqisë erdhi një ditë në ishullin e Skopelos për të arrestuar episkopin dhe të krishterët më të njohur të qytetit. Njësoj si hekuri që futet në zjarr e kur goditet lëshon shkëndija përreth, kështu edhe shenjtori shkëlqeu në të gjitha torturat dhe u jepte kurajë të krishterëve, që të qëndronin të fortë në besë. Kur magjistrati e pa se nuk mund ta përkulte, dha urdhër t’i pritej koka, më 25 shkurt 362.
Lipsanet e tij u transferuan në Qipro dhe vetëm në shekullin e 19-të besimtarët e Skopelos arritën të merrnin disa pjesë.
Mbrapa
