Shën Abdai jetoi në Persi gjatë mbretërimit të Jazdergit I (399-420), kur Theodhosi II ishte perandori i romakëve (408- 450). Duke jetuar mes idhujtarëve, Abdai u përpoq me çdo mënyrë t’i bindte ata për kotësinë e adhurimit të idhujve. Një ditë, i mbushur plot me zell hyjnor, ai shkoi në tempullin ku mbreti e kishte zakon të ofronte blatimet e tij, e përmbysi zjarrin e shenjtë dhe i vuri flakën ndërtesës. Mbreti u inatos tej mase dhe i nxitur nga të tijtë dhe magjistarët, që ishin xhelozë për pushtetin që Perëndia u kishte dhënë të krishterëve, e ndaloi adhurimin e Perëndisë. Urdhëroi shkatërrimin e kishave dhe të manastireve, si dhe arrestimin e paditjen e priftërinjve dhe besimtarëve të tjerë në gjykatën e tij.
Kur Abdai dhe shokët e tij u shfaqën të lidhur me zinxhirë përpara tij, mbreti i pyeti: “Përse kundërshtoni urdhrin mbretëror dhe nuk i bindeni mësimit që ne kemi marrë prej etërve tanë?”. Rrëfyesit e besimit iu përgjigjën: “Ne nuk i ndjekim doktrinat e njerëzve që na thonë të adhurojmë shumë perëndi, elementët e dritës, ndërsa hedhin poshtë bërësin e tërë botës. Atë ne e adhurojmë dhe Atij ia dedikojmë të gjitha ato që i ka krijuar që ne t’i përdorim e t’i zotërojmë. Ne adhurojmë dhe nderojmë Krijuesin e gjithësisë, që të marrim nderim nga veprat e duarve të Tij”. I turbulluar nga këto fjalë, mbreti urdhëroi Abdain dhe shokët e tij për të ndërtuar altarin e zjarrit të shenjtë, përndryshe do të shkatërroheshin të gjitha kishat. Ata refuzuan dhe i vunë nën torturë. Katër ushtarë e kapën shën Abdain dhe e rrahën me shufra të nxehta hekuri. Kështu ai fitoi kurorën e martirit.
Kjo ngjarje shënoi fillimin e persekutimit të të krishterëve të Persisë që zgjati më shumë se tridhjetë vjet. Shumë veta i kishin duart, veshët dhe gjymtyrët e tjera të prera për hir të Krishtit. Të tjerëve u rropën lëkurën nga fytyra, u ngulën shkopinj në tërë pjesët e trupit dhe të tjerë, u hodhën nëpër puse të mbushur plot me minj e zvarranikë të ndryshëm. Shën Beniamini, dhjakon, dhe shoku i shën Abdait, u numërua me këta atletë të nderuar të Krishtit, bashkë me shën Hormizhdin dhe shën Suninin.
Hormizhdi, biri i guvernatorit të provincës së Ahmadanit, kishte besuar në Krishtin që në rininë e tij. Ai u denoncua te mbreti dhe kur premtimet dhe lajkatimet e tjera nuk patën efektin e kërkuar, ai u dënua të kulloste lakuriq devetë nëpër shkretëtirë. Pas shumë kohësh, Mbreti e njohu ndërsa po kalonte në ato vise, i dërgoi një tunikë të linjtë, bashkë me premtimin se do ta rivendoste në rangun e tij shoqëror nëse do të kthehej në fenë e stërgjyshërve të tij. Shenjtori e bëri tunikën copa dhe ia dërgoi mbretit, që urdhëroi ta ekzekutojnë.
Shën Sunini ishte zyrtar i lartë shtetëror dhe zotëronte mijëra skllevër, por preferoi më mirë të hiqte dorë nga të gjitha, me gjithë insistimin e gruas së tij për të bërë të kundërtën, sesa të tradhtonte Mbretin e tij qiellor.