
Në vitin e dhjetë të mbretërimit të Dioklecianit (300), patriarku i shenjtë i Jerusalemit, Hermoni (300-314), dërgoi episkopë në vende të ndryshme, për të predikuar Ungjillin si apostuj të rinj, veçanërisht në Krime dhe në vendin e skithëve.
Kur arriti në Kerson, shën Vasili nisi menjëherë të shpallte Lajmin e Mirë te paganët, duke i nxitur njerëzit të braktisnin perënditë e rreme dhe të përqafonin rrugën e virtytit, për të fituar jetën e përjetshme. Paganët, duke e akuzuar të zemëruar se po kërkonte të zhdukte traditat e tyre, e dëbuan me forcë nga qyteti. Shenjtori u vendos atëherë në një shpellë në malin Parthenos, brenda së cilës lutej për kthimin e të pabesëve.
Ndërkohë, vdiq papritur djali më i vogël i njërës nga familjet më të pasura të Kersonit. Po atë natë ai iu shfaq në vegim prindërve që vajtonin dhe u kërkoi të thërrisnin hierapostullin që kishin dëbuar, që të lutej për të. Sapo shenjtori filloi të lutej dhe të spërkaste trupin e pajetë me ujë të bekuar, djali u kthye përsëri në jetë. Prindërit dhe të gjithë ata që ishin të pranishëm besuan te Krishti dhe i kërkuan shenjtorit të pagëzoheshin. Por disa paganë zemër gurë, duke parë me frikë shtimin e të krishterëve, në bashkëpunim me disa judenj, e kapën episkopin, e lidhën me litar dhe e tërhoqën zvarrë nëpër rrugë dhe nëpër vende publike. Me këtë martirizim ai e stolisi fronin episkopal të Kersonit me kurorën e parë triumfale.
Shën Efremi u dërgua në Skithi dhe atje kudo që shkonte predikonte Krishterimin te paganët. Idhujtarët e kapën dhe, kur refuzoi t’u bënte fli idhujve, i prenë kokën. Tregohet se ditën e martirizimit të tij u shfaq një yll mbi lipsanin e shenjtorit, të cilin paganët e kishin hedhur në një grumbull plehrash.
Pak kohë pas kësaj, mbërritën në Kerson episkopët e rinj hierapostuj, Evgjeni, Agathodhori dhe Elpidi. Edhe ata morën gjithashtu kurorën e martirizimit, pikërisht një vit pas martirizimit të shën Vasilit (6 mars).
Pas disa vjetësh, gjatë mbretërimit të Konstandinit të Madh (330), kryepiskopi i Jerusalemit dërgoi shën Eterin si episkop të ri të Kersonit. Duke parë ashpërsinë e banorëve të kësaj krahine, shën Eteri udhëtoi për në Konstandinopojë dhe atje siguroi mbrojtje për të krishterët. Me edikt të perandorit, të pabesët u dëbuan nga qyteti dhe më në fund u bë i mundur ndërtimi i kishës së parë në Kerson. Kur Eteri po kthehej në Konstandinopojë, për të falënderuar shën Konstandinin për mirësinë që kishte treguar ndaj të krishterëve, shenjtori u kap nga paganët, të cilët e mbytën në Danub.
Me kërkesën e të krishterëve të Kersonit, të mbetur jetimë, perandori u dërgoi një episkop të ri, shën Kapitonin. Sapo ai mbërriti në qytet e mirëpriti një grumbull i madh njerëzish, por paganët i kërkuan t’i nënshtrohej provës së zjarrit, që të tregonte vërtetësinë e predikimit të tij. Ata përgatitën një turrë drush dhe i vunë zjarrin. Shenjtori u vesh me rrobat e tij episkopale dhe pas një lutjeje të gjatë në heshtje, urdhëroi dhjakun të thoshte thirrjen liturgjike: “Le të vëmë re!”.
Më pas hyri në mes të flakëve dhe doli prej andej i paprekur nga zjarri, me felonin e tij të mbuluar me thëngjij të ndezur. Atëherë njerëzit thirrën njëzëri: “Ka vetëm një Perëndi të vërtetë, Perëndia i të krishterëve, i cili është lavdiplotë dhe i tërëmadh!”. Të gjithë të pranishmit u pagëzuan. Që nga ajo kohë besimi u fuqizua pa pengesa. Kjo mrekulli u njoh nga Etërit e Sinodit të Parë të Nikeas (325). Thuhet se pas disa vjetësh, kur shenjtori po kthehej nga Konstandinopoja, anija ku ai kishte hipur hasi në një stuhi dhe u përplas në grykëderdhjen e Dnieprit, ku shenjtorin e mbytën disa paganë vendas, më 22 dhjetor.