Kur persekutimet reshtën dhe Krishterimi u njoh si fe zyrtare e shtetit, pasuesve të apostujve iu desh shumë punë dhe mundime për të çrrënjosur paganizmin, shpesh agresiv, dhe të punonin që mes njerëzve të mbizotëronte ëmbëlsia e zakoneve të krishtera. Jeta e oshënar Porfirit është një dëshmi e mrekullueshme e ecurisë së këtij ndryshimi të madh.

Shën Porfiri lindi në vitin 347, në një familje fisnike e të pasur të Thesalonikës. I pushtuar nga dëshira hyjnore, la një ditë atdheun dhe pasuritë e tij dhe shkoi drejt shkretëtirës së famshme të Skitës, në Egjipt. Mori shpejt veshjen engjëllore dhe jetoi pesë vjet në shoqërinë e etërve që shkëlqenin atje në atë kohë. Prej andej shkoi në Palestinë, ku jetoi edhe pesë vite të tjera në një gropë në shkretëtirën e Jordanit. Për shkak të thatësirës së madhe dhe ashpërsisë së klimës, u sëmur rëndë. Duke pasur shpresë vetëm te Perëndia, shkoi në Jerusalem dhe, i mbështetur mbi një shkop, nderoi Vendet e Shenjta. Atje lidhi miqësi me Markun, biografin e jetës së tij, dhe e ngarkoi të shkonte në Thesalonikë për të ndarë pasurinë midis vëllezërve.

Kur u kthye, Marku e gjeti Porfirin plotësisht të shëruar pas një ekstaze që pati në Golgotha, gjatë së cilës kishte parë Kusarin e Mirë që zbriti nga Kryqi dhe e çoi pranë Krishtit, i Cili i dorëzoi Kryqin e Shenjtë.

Pasi ndau trashëgiminë te të varfrit e Jerusalemit dhe në manastiret e Egjiptit, Porfiri nisi të ushtronte zanatin e këpucarit për të jetuar me punën e duarve të tij, sipas shembullit të apostull Pavlit. Kur mbërriti në moshën 45 vjeçare, episkopi i Jerusalemit, Praili, meqenëse kishte dëgjuar për mirësinë e tij, dashurinë për të varfrit dhe për dhuratat e interpretimit të Shkrimit të Shenjtë, e hirotonisi prift, edhe pse ai nuk donte, dhe i dorëzoi në ruajtje Drurin e Çmuar të Kryqit të Shpëtimtarit (Stavrofylaks). Ky nder, që e kërkonin shumë veta, nuk e ndryshoi sjelljejen e Porfirit, por shenjti vazhdonte të jetonte me privime, duke i kaluar të gjitha netët në agripni të shenjta. Gjatë kohës që ushtronte këtë shërbesë, për tre vjet me radhë, ndërroi jetë episkopi i Gazës. Besimtarët e kësaj Kishe, të themeluar në kohët e para, por që nuk kishte madhësi dhe shtrirje të rëndësishme, duke mos arritur të binin dakord për zgjedhjen e një pasuesi, dërguan një delegacion pranë kryepiskopit të Qesarisë, Joanit. Pas një kreshme treditore, Zoti iu sugjeroi Porfirin, si personin më të përshtatshëm për këtë detyrë. Duke njohur përulësinë e Skevofilaksit, Joani e thirri në Qesari me pretekstin për t’i shpjeguar një frazë nga Shkrimi i Shenjtë. Porfiri, i lajmëruar një natë më parë nga Zoti Jisu Krisht, që vajti për t’i dorëzuar një nuse të përulur, por të virtytshme, “motrën” e tij, i shqetësuar, i bëri të ditur Markut: “Unë e di mirë se në dëshirën time për të shlyer mëkatet e mia, nuk mund të më imponohet shlyerja e mëkateve të të tjerëve. Por është e pamundur t’i kundërvihesh vullnetit të Perëndisë”.

Pasi mbërriti në Qesari, u zgjodh nga episkopi, me gjithë të qarat dhe kundërshtitë e tij, pas një agripnie të së dielës, dhe u mor menjëherë prej besimtarëve. Mbërriti me shumë mund në Gaza, sepse idhujtarët vendas e kishin mbushur rrugën me pengesa të ndryshme, me gjemba dhe papastërti të ndryshme me erë të keqe.

I nënshtruar ndaj vullnetit të Perëndisë dhe duke kryer me kurajë të madhe luftën e tij kundër djallit, qëkurse mbërriti në qytet për herë të parë, ku mbizotëronte prej kohësh një thatësirë e madhe, i mblodhi të krishterët, që nuk ishin më tepër se 280 veta dhe caktoi të bëhej agripni për tërë natën. Në mëngjes, pas një litanie që kaloi nëpër të gjithë qytetin, Perëndia bëri edhe një herë tjetër mrekullinë e profetit Ilia, duke sjellë shi të bollshëm. Në atë çast u konvertuan 127 paganë, duke thirrur: “Vetëm Krishti është Perëndi! Vetëm Ai ka fituar!”. Me gjithë këto mrekulli dhe lutjet e Porfirit për kthimin e tyre në Krishterim, paganët që mbanin pushtetin në qytet nuk e reshtën persekutimin e tyre dhe sulmet e dhunshme kundër episkopit të shenjtë dhe besimtarëve. Prandaj Porfiri vendosi të dërgonte Markun në Konstandinopojë, për t’ia paraqitur sovranit kërkesën e tij nëpërmjet ndërmjetimit të shën Joan Gojartit. Mori një edikt të perandorit Arkad, që urdhëronte mbylljen e të gjithë tempujve paganë. Por ky dekret nuk u zbatua në mënyrë rigoroze dhe fyerjet e sulmet e paganëve idhujtarë kundër të konvertuarve e shtynë shën Porfirin të shkonte në Qesari, për t’i kërkuar kryepiskopit me përgjëratë dorëheqjen e tij. Joani e nxiti të kishte durim dhe i propozoi të shkonin së bashku në Konstandinopojë, për t’i kërkuar perandorit shkatërrimin e tempujve paganë.

Pasi morën këshilla të ndriçuara nga një eremit i quajtur Prokop, gjatë një qëndrimi të shkurtër të anijes në ishullin Rodos, ata arritën në Bizant dhe shkuan menjëherë për t’i bërë nderimet e duhura shën Joan Gojartit. Shën Joani tregoi dhembshuri të madhe, por, duke mos mundur të ndërmjetonte në favor të tyre pranë perandorit, sepse perandoresha e fuqishme, Evdhoksia, ishte irrituar kundër tij, i kërkoi oborrtarit Amantios që të ndërhynte. Evdhoksia, që ishte shtatzënë në atë kohë, i pranoi të dy episkopët me simpati dhe u premtoi mbështetjen e saj. Pas disa ditësh, ajo lindi djalë, i cili do të ishte perandori i ardhshëm Theodhosi II i Riu (408-450), në përputhje me profecinë e bërë nga dy hierarkët. Në shenjë mirënjohjeje, ajo u tha që ta hartonin ata vetë kërkesën e tyre në lidhje me kishën e Gazës. Ditën e pagëzimit të fëmijës, në mes të festimeve madhështore për këtë ngjarje, Evdhoksia mori nga perandori miratimin e tij dhe bëri planet, si dhe ofroi shpenzimet për ndërtimin e një kishe madhështore mbi rrënojat e një tempulli pagan në Gaza. Pas Pashkës (402), Porfiri dhe Joani morën rrugën e kthimit, në shoqërinë e funksionarëve perandorakë të dërguar për të parë zbatimin e urdhrave të sovranit.

Kur mbërritën në Majuma, pasi i shpëtuan mrekullisht një stuhie të tmerrshme dhe kthyen në besën e vërtetë kapitenin e anijes, pohues i arianizmit, të dy episkopët u pritën me himne nga të krishterët. Kur kortezhi mbërriti në Gaza, një statujë e Afërditës u bë copë e thërrime kur pranë saj kaloi emblema e Kryqit të Nderuar. Besimtarët shpërthyen në brohoritje të forta para kësaj mrekullie të madhe dhe magjistrati perandorak, që mbërriti atje në krye të një eskorte të fortë ushtarake, lexoi vendimin e perandorit. Më pas, në zbatim të ediktit perandorak, u shkatërruan tetë tempuj paganë. Pjesa tjetër e paganëve, rreth 300, iu bashkua besimit të vërtetë dhe Porfiri, pasi i katekizoi sipas rregullit, i pagëzoi.

Me vendosjen e paqes në Gaza, episkopi i shenjtë punoi shumë për ndërtimin e një kishe të madhe mbi gërmadhat e tempullit Marnion, sipas planeve të dërguara nga perandoresha. Të gjithë besimtarët, burra e gra, morën pjesë me entuziazëm në punime, duke psalur himne dhe duke thënë me zë të lartë: “Krishti fitoi!”. Pas një pune pesëvjeçare, ditën e Pashkës, u krye shenjtërimi i Kishës, e quajtur Evdhoksiana, në praninë e murgjve të ndodhur atje rrotull dhe të një numri të madh besimtarësh. Këto kremtime ishin për shenjtorin një rast për t’u shpërndarë lëmosha të shumta besimtarëve dhe për ta nxitur popullin të qëndronte i palëkundur në besimin e vërtetë. Por, me gjithë këto ngjarje, paganët nuk reshtën së bëri rezistencë dhe në çdo rast kërkonin shkak për t’u grindur me të krishterët dhe një ditë, pasi shpërtheu një zënkë e madhe, ata vranë shtatë besimtarë dhe ndoqën shën Porfirin, i cili shpëtoi duke kaluar nga një çati në tjetrën.

Disa vjet më vonë, pasi u vendos rregulli në komunitetin e krishterë të Gazës, shën Porfiri, që kishte dhënë ndihmën e tij edhe në mbrojtjen e besimit të vërtetë kundër herezisë pelagiane, duke marrë pjesë në Sinodin e Diopolis (415), u sëmur dhe zuri shtratin. Ai hartoi një dhiatë ku linte si porosi dhënien e rregullt të lëmoshave për të varfrit dhe mikpritjen për të huajt dhe ia besonte Perëndisë të gjithë grigjën e tij të krishterë. Më 26 shkurt 420, fjeti në paqe, duke iu bashkuar korit të shenjtorëve dhe duke përmbushur kështu 25 vjet në krye të episkopatës dhe të përpjekjeve të pareshtura kundër idhujtarisë.




Mbrapa

PayPal