Shën Gjergji vinte nga një familje e varfër e Xurklit në dioqezën e Grevenasë (Epir, 1810). Pas vdekjes së prindërve, hyri në shërbimin e një oficeri turk si grazhdar. Ndonëse ishte i lidhur me besimin e krishterë, shërbëtorët e tjerë turq e kishin bërë zakon ta quanin me një emër mysliman: Jaur Hasan. Pas 8 vjetësh, tek po përgatitej për fejesën me një vajzë të varfër të krishterë me emrin Elena, një turk u ankua te gjykatësi vendor (kadiu), duke thënë se Hasani ishte mysliman dhe donte të martohej me një të krishterë. Pas shumë thashethemesh, Gjergji, i cili ishte i përmbajtur dhe fjalë pak, arriti të tregonte se ishte lindur i krishterë dhe kështu do të mbetej përjetë. U martua dhe hyri në shërbim të një titullari otoman në qytetin e Filatit.

Ditën kur e shoqja i lindi djalë (12 janar 1838), shkoi në Janinë për një çështje, por përsëri akuzuesi i tij i parë nuk e la të qetë. Gjergjin e nxorën para gjykatësit ku rrëfeu pa u lëkundur se kishte qenë i krishterë dhe kurrë nuk e kishte mohuar besimin e etërve. E futën në burg, dhe atje u nxit nga të krishterë të tjerë ta çonte betejën deri në përsosmërinë e martirizimit. Një qenie e ndritshme iu shfaq, e lehtësoi nga vështirësitë që e rëndonin dhe i dha guxim mbinjerëzor. Kështu, me gëzim të papërshkruar, në mëngjesin e 17 janarit, ai priti vendimin e dënimit me vdekje. Shkoi pas xhelatëve drejt ekzekutimit, si dreri i etur drejt burimit të ujit të gjallë (Ps. 41.1). Trupi i tij mbeti i varur për 3 ditë. Prej tij rrodhi aromë erëmirë dhe rojat panë me sytë e tyre ta rrethonte një dritë qiellore. Përfundimisht, lipsani i tij iu dorëzua mitropolitit Joakim, i cili i mblodhi të gjithë të krishterët e Janinës për të celebruar me solemnitet funeralin e neomartirit të Krishtit. Gjatë ceremonisë ndodhën shumë mrekulli dhe lipsanet e tij vazhdojnë të kryejnë edhe sot.




Mbrapa

PayPal