Në kohën e perandorit Deci (rreth 250), kur derdhej gjaku i martirëve në të gjitha krahinat e Perandorisë Romake, në Tebaidën e Poshtme (Egjipt) jetonte një burrë i devotshëm, i ditur dhe i stolisur me të gjitha llojet e virtyteve, i cili, pas vdekjes së prindërve, trashëgoi një pasuri të madhe. Për t’i shpëtuar furtunës së persekutimit, u tërhoq në një shtëpi fshati; por shumë shpejt, burri i së motrës, nga lakmia për të shtënë në dorë trashëgiminë familjare, mendoi një plan për ta dorëzuar në duart e persekutorëve. I frikësuar, Pavli u largua në shkretëtirë, duke lënë pas çdo të mirë.

Eci me ditë të tëra, arriti rrëzë një mali ku zbuloi një shpellë, e cila nuk binte në sy dhe që kishte shërbyer si strehë për falsifikuesit e monedhave. Aty pranë rritej një palmë e gjerë, e cila jepte frutat e saj dhe bënte hije, dhe gurgullonte një burim me ujë të pastër. Shenjti qëndroi në atë parajsë të vogël, dhuruar nga Perëndia, dhe kaloi gjithë jetën në heshtje e në lutje.

Pas shumë vjetësh (më 342), Andonit të Madh, atëherë 80 vjeç, i erdhi mendimi se asnjë njeri mbi dhé nuk kishte bërë një jetë kaq të përsosur para Perëndisë. Natën, ai u lajmërua nga engjëlli, se një eremit tjetër bënte këtë jetë qiellore në një mënyrë më të përsosur se ai, diku në një shkretëtirë tjetër dhe që kishte arritur në moshën 113-vjeçare. Jeronti i lumur mori pa humbur kohë shkopin e tij dhe u nis në kërkim të atij, duke iu dorëzuar Providencës hyjnore për ta drejtuar. Udhës hasi shumë kafshë të egra që i vinte djalli, por që bëheshin të pafuqishme me shenjën e Kryqit dhe i tregonin pastaj se cilin drejtim duhej të ndiqte. Një ujkonjë e drejtoi përfundimisht deri te shpella dhe me shumë lutje e përgjërime arriti ta bindte Pavlin t’i hapte derën.

Të dy etërit shkëmbyen një puthje të shenjtë, u përshëndetën me emrat e tyre; lavdëruan Perëndinë që lejoi këtë takim. Pavli, i cili nuk i kishte folur asnjë njeriu për 90 vjet, e pyeti Andonin se si shkonte bota, nëse kishte ende idhujtari dhe persekutim. Gjatë bisedës, një korb fluturoi mbi ta dhe u la para këmbëve bukë të freskët. Pavli i tha vizitorit të tij: “Admiroje mirësinë e Perëndisë. Ja, u bënë 70 vjet që Perëndia më dërgon çdo ditë me anë të këtij korbi një gjysmë buke që të ushqehem dhe sot, për ardhjen tënde, Zoti e dyfishoi”. Si hëngrën prej ushqimit qiellor, gjithë natën e kaluan në lutje. Kur zbardhi dita, Pavli i zbuloi Andonit se e njihte që kur jetonte në shkretëtirë dhe se Zoti e kishte dërguar tani drejt tij që të kthente trupin e tij të varfër në dhé, pasi ora e fundit e betejave të tij ishte afër.

Andoni, i përlotur, e luti të mos e linte vetëm, por t’i lutej Zotit që ta merrte edhe atë me vete. Oshënar Pavli i kërkoi që të shkonte të kërkonte në manastirin e tij pallton që shën Athanasi i Aleksandrisë i kishte dhënë që ta groposte. Jeronti i moshuar, 90 vjeç, gjeti fuqitë si një i ri ta bënte rrugën brenda ditës, i djegur nga dëshira për të riparë Pavlin, nga frika se mos vdiste në mungesë të tij. Të nesërmen në mëngjes ai ishte ende rrugës, kur pa shpirtin e oshënar Pavlit të ngrihej në qiell në mes të koreve engjëllore, të profetëve dhe të apostujve. Ai thirri: “Pavël, pse po më lë? Të njoha shumë vonë, por po ikën kaq herët!”. Vrapoi deri te shpella, ku gjeti oshënar Pavlin të palëvizur, në pozicion lutjeje. E mbështolli me pallton e rrëfyesit të madh të Orthodhoksisë, psali për të himnet e funeralit dhe, i ndihmuar nga dy luanë që Providenca i dërgoi, të cilët hapën një gropë me kthetrat e tyre, vendosi me përkushtim trupin e eremitit të parë në tokë, në pritje të ngjalljes. Që të mos privohej nga hiri që kishte banuar te shenjti gjatë jetës tokësore, Andoni mori me vete tunikën që Pavli kishte thurur me duart e veta me gjethe palmash, dhe e vishte në të kremtet e mëdha të Pashkës dhe Pentikostisë.




Mbrapa

PayPal