
Kur shën Metodi (14 qershor), u ngjit në fronin episkopal të Konstandinopojës pas shkarkimit të Joanit, patriarkut heretik (842), ai iu drejtua perandorit Mihail dhe nënës së tij, perandoreshës Theodhora (11 shkurt), duke u thënë se nuk ishte e drejtë që të lihej në mërgim trupi i patriarkut të shenjtë Niqifor, i cili kishte mbrojtur me trimëri dogmën orthodhokse për nderimin e ikonave të shenjta dhe vdiq pas 14 vitesh të vështira internimi larg grigjës së tij shpirtërore. Perandoresha e pranoi kërkesën dhe dërgoi shën Metodin, bashkë me një numër të madh klerikësh e murgjish, në manastirin e Shën Theodhorit, ku para 19 vjetësh ishte varrosur shenjtori.
Ata e gjetën lipsanin të paprishur, e vendosën në një anije perandorake dhe e shoqëruan me psalme e himne. Kur anija mbërriti në port, e prisnin me qirinj të ndezur në duar perandori bashkë me Senatin, të cilët nderuan lipsanin e shenjtë. Më pas, duke e mbajtur mbi supe, e transportuan në kishën madhështore të Shën Sofisë, ku për nder të tij u krye agripni gjatë gjithë natës. Kur agripnia mbaroi trupin e shën Niqiforit e çuan në kishën e Apostujve të Shenjtë, për ta vendosur së bashku me perandorët dhe shenjtorët paraardhës.
Mbrapa
