Këta martirë të shenjtë vinin nga qyteti i Amasisë dhe ishin të afërt dhe shokë ushtrie të shën Theodhor Tironit. Kleoniku ishte vëlla i Eftropit dhe Vasilisku nip i shën Theodhorit, por ishin të lidhur me një dashuri aq të thellë, sa quheshin vëllezër mes tyre. Pas betejës së lavdishme të shën Theodhorit, i cili dha frymë duke u lutur për shokët e tij, që të denjësoheshin për lavdinë e martirizimit, vendin e qeveritarit Puplius, i cili vdiq mjerisht, e zuri një magjistrat i ri, Asklepiodoti, më mizor dhe çnjerëzor, i cili u emërua për të ekzekutuar urdhrat e perandorit Maksimian Galeri.

Që kur filloi hetimin për ngjarjet që e kishin turbulluar qytetin, ai lexoi edhe aktet e martirizimit të shën Theodhorit dhe admiroi qëndresën dhe guximin e shenjtorit. Thirri tre shokët e shenjtit, emrat e të cilëve dolën gjatë leximit, të cilët ndodheshin në burgun publik, bashkë me të krishterë të tjerë. Kur panë që po i çonin për t’i gjykuar, shokët e tyre qanë hidhur, por Eftropi u kthye dhe u tha me qetësi: “Mos qani, vëllezër, sepse do takohemi përsëri, por lutuni që Zoti të na mbështesë në betejën që kemi përpara”. Të tre shokët dolën para qeveritarit me fytyrën që u shndrinte dhe të forcuar nga një zë qiellor. Asklepiodoti, i çuditur, kërkoi të dinte shkakun e kësaj gjendjeje të pazakontë për të dënuarit. Shën Eftropi i tha: “Po, jemi me të vërtetë të gëzuar, sepse Krishti është përherë gëzimi dhe shpresa jonë, dhe e vërteton te ne këtë fjalë: “Zemra e gëzuar e shndrit fytyrën” (Fja. Urt. 15:13). Pasi Eftropi filloi të tallej me kërcënimet e magjistratit, Asklepiodoti iu dha urdhër ushtarëve që ta goditnin që t’i mbyllnin gojën. Dy shokët e tjerë i kërcënuan se do të vuanin në tortura të ashpra nëse nuk u flijonin idhujve, por ata pohuan se ishin të patundur në besimin e tyre me aq vendosmëri e forcë, sa guvernatori i urdhëroi skribët që të ndalonin së shkruari, që të mos dukej qesharak para pasardhësve.

I rrahën për shumë kohë, por një tërmet bëri që të zgjidheshin litarët me të cilët u kishin lidhur duart dhe Krishti u shfaq i rrethuar nga shumë engjëj, bashkë me shën Theodhorin, për të shëruar plagët e tyre dhe për t’i mbushur me gëzim e besim. Para kësaj shfaqjeje, xhelatët i lanë veglat e torturave dhe i thanë qeveritarit, i cili nuk pa asgjë nga këto, se nuk mund ta vazhdonin këtë punë. Atëherë shumë paganë pohuan me zë të lartë Emrin e Shpëtimtarit.

Asklepiodoti, si pa se situata mund t’i dilte duarsh, i ekzekutoi të sapokthyerit në besimin e drejtë dhe vendosi të thërriste tërë banorët e qytetit, bashkë me të krishterët e burgosur, që të ofronin një sakrificë publike në tempullin e Artemidës.

Ditën tjetër, i gjithë qyteti u mblodh dhe shumë flijuan para statujës. Kur erdhi radha e tre shenjtorëve, Eftropi drejtoi një lutje para Perëndisë, duke kujtuar ndihmën që morën Tre Djemtë në furrën e zjarrtë, Danieli në gojën e luanit dhe së fundi shën Theodhori. Kur e mbaroi lutjen, një tërmet i tmerrshëm shkatërroi tempullin dhe rrëzoi përtokë statujën e Artemidës, ndërkohë që u dëgjua një zë t’u thoshte shenjtorëve ta transformonin vendin në një kishë të krishterë. Shumica e paganëve ishin shpërndarë nga frika, por qeveritari, si një bishë e tërbuar, urdhëroi të përgatiteshin tre kazanë me zift të nxehtë dhe ta derdhnin mbi trupat e shenjtorëve, të cilët i kishin lidhur në katër shtylla. Por zifti rrodhi si ujë mbi ta dhe trupat u mbetën të paprekur, të mbrojtur nga Hiri i Perëndisë. Të gjakosur siç ishin i hodhën sërish në burg, por iu shfaq Krishti dhe i shëroi.

Të nesërmen i nxorën përpara gjyqit dhe Eftropi dhe Kleoniku u dënuan me vdekje si magjistarë. Guvernatori, i nxitur nga djalli, ati i gjithë përçarjeve, urdhëroi që Vasiliskun ta kthenin në burg, që të prishte lidhjen e mrekullueshme të shenjtorëve.

Të gjithë paganët u shkuan pas të dënuarve deri në vendin e ekzekutimit. Kur i vendosën secilin mbi një kryq, ata lavdëruan Krishtin që i bëri të denjë të vdisnin në të njëjtën mënyrë si Ai, ndërkohë një zë nga qielli i uronte mirëseardhjen mes shenjtorëve.

Trupat e tyre i varrosën në vende të ndryshme, jo larg nga Amasia. Më pas varret e tyre u bënë burim i pashtershëm bekimi për të krishterët. Vasilisku nderohet edhe më vete, më 22 maj.




Mbrapa

PayPal