Shën Domna ishte priftëreshë në tempullin e dymbëdhjetë hyjnive, të vendosur në pallatin princëror të Nikomedisë. Një ditë zbuloi Veprat e Apostujve dhe Letrat e apostull Pavlit dhe u trondit aq shumë nga leximi i tyre, saqë, sapo ra nata, shkoi me vrap, pa e ditur kush, tek episkopi Kirill, që ishte bari para shën Anthimit dhe i kërkoi të pagëzohej, në shoqërinë e eunukut Indes, që kishte të njëjtin besim të zjarrtë.
Sapo u ndriçua nga Hiri i Shpëtimit, shenjtorja iu vu menjëherë punës për të plotësuar ndërtesën e virtyteve të shenjta. Duke ndjekur shembullin e të krishterëve të Jerusalemit, ajo e shpërndau pasurinë e saj si lëmoshë te të varfrit dhe qëndronte natë e ditë në lutje dhe në studimin e Shkrimit të Shenjtë, e ndihmuar nga besniku Indes, pa pasur asnjë shqetësim për ushqimin, pijen apo veshjen e tyre. Një sjellje e tillë nuk vonoi të vihej re dhe u denoncua te princi i Nikomedisë nga kreu i eunukëve, i cili i kishte kapur një natë teksa u ndanin ushqime të varfërve.
Kur bënë kontroll në apartamentin e tyre, vunë re se aty nuk gjendej asgjë tjetër, përveç dy shtretërve të varfër; gjetën gjithashtu një Kryq të shenjtë, librin e Veprave të Apostujve, një temjanicë përtokë, një kandil dhe një kuti të vogël që mbante Kungatën e shenjtë (artofor). I mbyllën në një burg të errët, por ata arritën të merrnin me vete librin e shenjtë dhe artoforin, kështu që Shkrimi i Shenjtë dhe Kungata hyjnore iu shërbenin si ushqim dhe pije e përditshme.
Shën Domna arriti të lirohej duke u shtirur si e marrë. Princi, duke pasur frikë vdekjen e ardhshme të priftëreshës së famshme dhe zemërimin e perandorit, vendosi t’ua besonte të krishterëve të drejtuar nga episkopi Anthim, i cili kishte famën e kryerjes së mrekullive dhe të shërimeve. Ajo u prit me gëzim të madh nga komuniteti i të krishterëve dhe u vendos nga shën Anthimi në një shtëpi ku shumë virgjëresha i ishin përkushtuar shërbimit të Perëndisë.
Kur Maksimiani arriti në Nikomedi për të celebruar fitoren e tij, duke mësuar për mungesën e priftëreshës së Artemisit dhe të Athinasë, si dhe marrëzinë e shtirur, viktimë e së cilës ishte bërë me dashje, pa vonesë dërgoi njerëz në manastir për ta marrë. E veshur si burrë, ajo arriti t’u humbiste nga sytë ushtarëve dhe gjeti strehë në mal. Ushtarët u tërbuan kur mësuan se ajo u kishte ikur, e shkatërruan të gjithë manastirin dhe kapën virgjëreshat, që nuk arritën dot të largoheshin, për t’i dhunuar dhe fyer. Njëra prej tyre, Theofilia, bukuria e së cilës ngjalli epshin e ushtarëve mizorë, u çua në vendin e shthurjes për t’u bërë viktima e tyre. Por Krishti, Dhëndri i saj, i erdhi në ndihmë dhe goditi për vdekje të gjithë ata që guxonin t’i afroheshin. Kështu arriti të ikte dhe të bashkohej me besimtarët që psalnin gjithë natën në agripni, brenda në kishë.
Pas zjarrit të madh dhe vdekjes së lavdishme të mijëra martirëve, tirani i pangopur urdhëroi të arrestoheshin të gjithë të krishterët që mund të gjendeshin në Nikomedi. Duke mësuar këto lajme dhe vdekjen e shokut të saj të ngushtë, Indesit, Domna që po jetonte për aq shumë vjet në martirizimin e përditshëm me anë të asketizmit dhe të lutjes, vendosi të dilte nga vendi ku ndodhej, për t’u dorëzuar. Mbërriti në breg të detit, duke i ndihmuar peshkatarët të nxirrnin rrjetat e tyre dhe aty zbuloi trupat e shën Indesit, Gorgonës dhe Petros dhe u nis me gëzim për t’i varrosur pranë mureve, para se të shkonte te Maksimiani. Perëndia e realizoi dëshirën e saj më të lartë duke e lejuar të zbukuronte me ngjyrën e purpurt tunikën e virgjërisë së saj, që e kishte zbardhur çdo ditë me çurgat e lotëve të saj. Pasi i prenë kokën, xhelatët e hodhën trupin e saj në zjarr, nga frika se mos vinin të krishterët dhe e nderonin.