I lindur në Jerusalem, në vitin 775, shën Theodhori u dërgua me vëllanë e tij, Theofanin, në manastirin e Shën Savës për të marrë një edukim të shkëlqyer si në shkencat e botës, ashtu edhe në jetën e virtytshme, nën drejtimin e shën Mihail Sinkelit. I pajisur me një inteligjencë të rrallë, Theodhori shkëlqeu si në virtytet e praktikës asketike, ashtu edhe në soditjen hyjnore. Pasi u bënë murgj, ai bashkë me të vëllanë u hirotonisën priftërinj (në vitin 811) dhe u ngarkuan me një mision të rëndësishëm për mbrojtjen e besimit dhe mbështetjen e Kishës së Jerusalemit, e cila ishte shkatërruar nga arabët, fillimisht për të shkuar në Romë e pastaj në Konstandinopojë, në shoqërinë e atit të tyre shpirtëror.
Të vendosur në manastirin e Horas, ata shfaqën një zell të madh për besën orthodhokse gjatë persekutimit të Leonit V Armenit kundër ikonave të shenjta dhe u mbyllën në një fortesë të Bosforit, deri në vdekjen e shtypësit. Gjatë qetësisë së mbretërimit të Mihailit II (820-829), Theodhori dhe vëllai i tij mundën të jetonin jetën e tyre murgërore dhe të vazhdonin veprën e tyre letrare në qetësinë e manastirit të Shën Mihailit të Sosthenios, në bregun evropian të Bosforit.
Të arrestuar me urdhrin e perandorit Theofil, gjatë rinisjes së persekutimit (834) dhe të mbuluar me goditje dhe fyerje, ata u mbyllën në ishullin e Propontidës. Pas dy vjetësh u rithirrën përpara sovranit. Me qetësi dhe mirësi, me një zë të mbushur me autoritetin e Shpirtit të Shenjtë që i frymëzonte, Theodhori i tregoi Theofilit se nderimi i ikonës së Krishtit dhe të shenjtorëve të Tij, nuk është në kundërshtim me urdhërimet e Dhiatës së Vjetër, se nuk është idhujtari, por përkundrazi pohim i Bërjes Njeri të Zotit tonë Jisu Krisht, i themeluar mbi traditën e shenjtë të Kishës. I mbushur plot me zemërim përpara një sigurie të tillë, Theofili i dorëzoi te xhelatët, duke urdhëruar të kamxhikoheshin pa mëshirë, pastaj të damkoseshin në ballë me hekur të nxehtë me 12 vargje jambike, që tregonin shkakun e dënimit të tyre.
Me gjithë vuajtjen e madhe, Theodhori gjeti forcën për t’i thënë tiranit se ishte fytyra e Krishtit, ikonën e të Cilit mbanin shërbëtorët e tij, ajo që kishte damkosur dhe e falënderoi se i kishte çelur kështu dyert e Parajsës dhe të jetës së përjetshme, në shoqërinë e martirëve dhe të rrëfyesve të Krishtit. Të çuar në internim për ca kohë në rrethinat e Konstandinopojës, të dy vëllezërit u internuan më pas në Apame të Bitinisë, ku Theodhori dha shpirtin e tij te Perëndia, i dërrmuar prej betejave të tij të gjata dhe të guximshme. Me gjithë urdhrin perandorak që të linin të pavarrosur trupin e pohuesit të besës, Theofani e varrosi atë në shoqërinë e një numri të madh besimtarësh, që kishin vendosur të përballeshin me rrezikun për të nderuar kujtimin e shenjtorit nën himnet e kompozuara nga shën Theofani me këtë rast. Sapo u vendos paqja, lipsani i tij i shenjtë u transferua në Kalqedoni, në manastirin e ndërtuar nga perandori Mihail në nder të tij.