Kur perandori Maksimian Galeri u kthye fitimtar nga lufta e tij kundër etiopasve (304), ai shpalli se do të bënte oferta për perënditë në mbarë perandorinë, si shenjë falënderimi. Mbërriti në Nikomedi me gjithë trupat e tij dhe urdhëroi të mblidheshin tërë banorët e krahinës për të nderuar perënditë e perandorisë, duke i kërcënuar se do të vdiste ai që nuk e kryente një detyrim të tillë. Pasi ekzekutoi disa të krishterë, të cilët kishin pozita në administratën lokale ose që kishin ndere në oborr dhe kjo i bënte shumë të rrezikshëm, ai urdhëroi njerëz të etur për gjak që të shkonin në të gjitha lagjet e qytetit dhe të kërkonin të gjithë besimtarët për t’i vrarë me tortura të tmerrshme.

Përditë numri i viktimave rritej, duke dhënë kështu një dëshmi të mirë për Krishtin para se të niseshin drejt banesave qiellore të shenjtorëve. Ndërsa po afrohej e kremtja e Lindjes së Zotit, disa paganë të pabesë i bënë të ditur perandorit që episkopi i Nikomedisë, Anthimi, shpirti i rezistencës, kishte mbledhur shumë të krishterë në kishën qendrore të qytetit. Maksimiani gjeti rastin për ta rrethuar ndërtesën me ushtarë, që askush të mos kishte mundësi të largohej së andejmi. Pastaj urdhëroi të sillnin rreth kishës një sasi të madhe druri dhe degësh të thata dhe bëri në hyrje të kishës një altar për idhujt. Të krishterëve që ishin brenda u bëri të ditur se, ata që donin të shpëtonin jetën, mund të dilnin përjashta dhe t’u ofronin sakrifica perëndive.

Dhjak Agapi, i kapur nga një zell i madh hyjnor, më i zjarrtë se çdo flakë tjetër e kësaj bote, hipi në amvonë dhe thirri: “Kujtoni pak, o vëllezër, se sa herë ne kemi admiruar dhe kemi kremtuar të Tre Djemtë, të cilët, të hedhur në furrën e Babilonës, e ftuan mbarë krijesën që të këndonte për lavdinë e Perëndisë dhe se si Fjala, Krijuesi, zbriti atëherë në dukje trupore për t’u ardhur në ndihmë dhe për t’i bërë të paprekshëm, duke i rrethuar me një freski prej vese (Dan. 3). Tani ka ardhur koha që ne të tregojmë se u ngjajmë atyre. Le ta ofrojmë veten në këtë vdekje të përkohshme për hir të dashurisë për Zotin tonë, që të mbretërojmë bashkë me Atë në përjetësi!”.

E tërë mbledhja e besimtarëve u përgjigj atëherë me një zë të vetëm të dërguarve të Maksimianit: “Ne besojmë në Krishtin Perëndi dhe për hir të Tij e japim edhe jetën tonë!”. Gjatë kohës që ushtarët nisën t’i vinin zjarrin kishës, shën Anthimi mblodhi gjithë katikumenët, i pagëzoi, i leu me Miro të Shenjtë dhe kreu Liturgjinë Hyjnore, në fund të së cilës të gjithë besimtarët u kunguan me Trupin dhe Gjakun e Zotit tonë Jisu Krisht.

Të armatosur me këtë fuqi hyjnore dhe të bashkuar në një trup të vetëm nga Krishti që banonte tek ata, martirët e shenjtë nuk patën fare frikë, kur panë flakët të lartësoheshin nga të gjitha drejtimet dhe tymin e dendur që filloi të mbushte kishën. Ata kënduan me gëzim njëzëri këngën e Tre Djemve: “Ju, të gjitha veprat e Zotit, bekoni Zotin. Zotin e himnoni dhe e përmbilartësoni në të gjitha jetët” (Dan. 3:57 e në vazhdim), derisa dhanë shpirt edhe të fundit e tyre. Ndërtesa flakëronte për 5 ditë me radhë.

Kur arritën të afroheshin në gërmadhat e bëra shkrumb, të gjithë mundën të shikonin se vendi ishte mbushur plot me një dritë verbuese dhe që në vend të aromës së athët të trupave të djegur, prej andej dilte një aromë e këndshme dhe e mrekullueshme. Shenjtorët që u lavdëruan në këtë mënyrë thuhet se ishin 20.000. Shën Anthimi, i shpëtoi me anë të një mrekullie djegies, që të udhëhiqte me anë të mësimit të tij një numër të madh besimtarësh drejt shpëtimit dhe në rilindjen e Pagëzimit të shenjtë, para se të martirizohej edhe ai, duke u bashkuar kështu me Krishtin, me anë të vdekjes martirike.




Mbrapa

PayPal