Në kohën e persekutimit të ashpër të Dioklecianit, mbretërimi i përgjakshëm i terrorit u shtri në gjithë perandorinë mbi të krishterët, kudo ku ata jetonin dhe në çfarëdo rangu të ishin. Të krishterët duhet të zgjidhnin midis apostazisë (mohimit të besimit) dhe martirizimit. Në qytetin armen të Satalës jetonte një fisnik i shquar që quhej Efstrat, këshilltar i rangut dukal, që ishte noteri kryesor perandorak i qytetit. Deri në atë kohë, e kishte mbajtur të fshehtë faktin se ishte i krishterë, por kur pa rezistencën e lavdishme të pohuesve të besimit, ai u pushtua nga dëshira e madhe për t’u konsideruar i denjë që të numërohej së bashku me martirët. Por, megjithatë, ngurronte për shkak të torturave, sepse kishte frikë se mos nuk kishte kurajën e mjaftueshme për të duruar deri në fund dhe rrinte i tërhequr.
Për të gjetur se çfarë ishte vullneti i Perëndisë në lidhje me këtë çështje, ai urdhëroi një prej shërbëtorëve të tij të merrte shiritin e ofiqit të tij dhe ta vendoste mbi altarin e kishës së qytetit. Pastaj t’i tregonte nëse ishte prifti Afksent ai që do të futej i pari ose jo brenda. Kur kjo gjë ndodhi, atëherë Efstrati mori guxim të madh nga kjo shenjë duke mos pasur frikë prej atyre që janë të aftë të vrasin vetëm trupin (shih Matth. 10:28). Ai ftoi miqtë dhe familjen e tij, për t’u gëzuar bashkë me të në një banket të madh, të shtruar me këtë rast, gjatë të cilit u bëri të ditur se shpejt do të fitonte një thesar që nuk mbaronte kurrë.
Ditën tjetër guvernatori Lisia po merrej me disa të burgosur të krishterë në gjykatën që ndodhej në qendër të qytetit. Në atë çast, për habi të guvernatorit, hyri brenda Efstrati dhe i kërkoi të ndante të njëjtin short me të burgosurit. Meqë ai ishte tërësisht serioz në ato që thoshte, e zhveshën nga rrobat zyrtare dhe shiriti i ofiqit dhe e rrahën me kamxhik. Pastaj e varën me litarë sipër një mangalli të madh të nxehur dhe e rrahën përsëri mizorisht. Duke mos menduar fare rreth dhimbjes, sikur të mos ishte trupi i tij që po torturohej, ai falënderoi Lisian që po i sillte kaq shumë gëzim dhe tha: “Tani e di se jam në kishën e Perëndisë dhe se Shpirti i Shenjtë banon tek unë”. Plagët iu mbyllën që atë natë, edhe pse xhelatët kishin hedhur kripë dhe uthull mbi to. Evgjeni, një bashkëqytetar dhe punonjës i zyrës së tij, duke parë qëndrueshmërinë e martirit dhe Hirin që e ndihmonte, shkoi me nxitim te gjykatësi dhe i kërkoi të burgosej me Efstratin dhe konfesorët e tjerë të besimit.
Herët në mëngjes, të burgosurit i nxorën nga burgu dhe i vunë të ecnin këmbëzbathur drejt Nikopojës, përveç Efstratit, të cilin Lisia e veshi me sandale ku ishin mbërthyer gozhdë të mprehta, për t’u tallur me rangun e tij shoqëror. Duke ecur mundimshëm për 2 ditë me radhë, ata arritën deri në Arauraka, qyteti i lindjes së Efstratit. Aty u njoh nga Mardari, që kishte dalë në dritare për të parë të burgosurit. Mardari u mbush me admirim për shenjtorin që kishte braktisur për hir të besimit çdo lavdi njerëzore dhe tokësore. I inkurajuar nga gruaja e tij, ai vendosi të pohonte haptazi besimin dhe t’u bashkohej shenjtorëve. Përkujdesjen ndaj familjes ia besoi një miku besnik dhe iu dha lamtumirën 2 fëmijëve të tij. Pas kësaj iu dorëzua eskortës ushtarake, duke pohuar besimin e tij të krishterë dhe duke iu bashkuar nxënësve të lavdishëm të Krishtit.
Në Nikopojë, i pari që doli përpara Lisias ishte prifti Afksent. Pas një seance të shpejtë, ai u mor dhe u çua thellë në pyll, ku edhe iu pre koka. Trupi i tij u la si ushqim për kafshët e egra por, sipas vullnetit të Perëndisë, disa të krishterë shpresëtarë erdhën dhe e morën. Madje u ndihmuan edhe nga një korb që u tregoi vendin ku ndodhej koka.
Më pas sollën Mardarin përpara gjyqit, por çdo pyetjeje të Lisias ai i përgjigjej në mënyrë lakonike: “Unë jam i krishterë!”. Lisia urdhëroi ushtarët t’i shponin brinjët me thikë, ta varnin me kokën poshtë dhe ta rrihnin për vdekje me hekur të skuqur. Para se të jepte shpirt, Mardari tha një lutje që përsëritet çdo ditë në Kishën Orthodhokse: “O Perëndi Zot, Atë i tërëfuqishëm; O Zot, Bir i vetëmlindur, Jisu Krisht, dhe Shpirti i Shenjtë, Një Hyjni, një Fuqi; mëshiromë mua mëkatarin dhe, sipas gjykimeve që Ti i di, shpëtomë mua shërbëtorin tënd të pavyer, se i bekuar je në jetë të jetëve. Amin”.
Evgjenin e morën pas tij në gjykatë ku rezistenca e tij dhe përgjigjet e vendosura ngjallën urrejtjen e papërmbajtur të tiranit. Ai urdhëroi t’i priteshin gjuha dhe duart, ndërsa gjymtyrët e tjera t’i thyheshin me shkopinj, kështu që shenjtori i Perëndisë dha shpirt mes mundimeve të mëdha.
Pas kësaj Lisia shkoi të shikonte ushtrimet dhe stërvitjen e trupave të tij ushtarakë. Ai u habit shumë nga sjellja dhe pamja e mirë e një rekruti që quhej Orest, por ndërsa ushtari po hidhte shtizën, Lisia pa një kryq të vogël ari në qafën e tij. Oresti pranoi pa ngurrim përpara Lisias se ishte nxënës i Krishtit. Ai u arrestua në vend dhe u dërgua bashkë me Efstratin për të dalë përpara Agrikolës, guvernatorit të Sebastës (tani Sivas), sepse Lisia kishte frikë se mos reagonte komuniteti i madh i të krishterëve të Nikopojës.
Ata mbërritën në Sebasti pas një ecjeje të lodhshme 5 ditore. Efstratin e sollën përpara guvernatorit që donte ta fuste shenjtorin në debat. Shërbëtori fisnik i Krishtit, duke pasur një dije të thellë, nuk pati vështirësi t’i tregonte me argumente kotësinë dhe absurditetin e kultit pagan, si dhe atë të filozofisë. Ai i dha Agrikolës një shpjegim të shkurtër, por mjaft të frymëzuar, se Perëndia, për të na mbushur plot me Hirin e Tij në personin e Jisu Krishtit, ka shfaqur zemërgjerësi të madhe ndaj gjinisë njerëzore, që nga fillimi i kohës. Agrikola, duke i kundërshtuar me kokëfortësi argumentet e Efstratit, iu kujtoi atij se u detyrohej bindje të plotë urdhrave të perandorit dhe se refuzimi i adhurimit të idhujve të perandorisë përbënte një krim kapital. Megjithatë, ai e shtyu në kohë ekzekutimin për t’i zgjatur atij dhimbjen dhe urdhëroi që t’i sillnin aty Orestin dhe ta shtrinin mbi një shtrat hekuri të skuqur në zjarr. Djaloshi i ri në fillim e pa me tmerr torturën e bërë gati, por Efstrati e nxiti të duronte fort deri në fund dhe, pasi mori zemër, Oresti rendi vetë përpara duke thënë: “Zot, po e dorëzoj shpirtin tim në dorën tënde”.
Pasi e kthyen në burg për natën e fundit në këtë botë, Efstrati u vizitua fshehtazi nga shën Vlashi, episkopi i Sevastisë (11 Shkurt), që i premtoi se do të plotësonte kërkesat e tij të fundit dhe se do të sillte lipsanet e 7 shokëve të tij në Arauraka. Pasi e kaluan natën me biseda shpirtërore dhe lutje, episkopi kreu Liturgjinë Hyjnore. Në çastin e kungimit qelia u mbush papritur me dritë qiellore verbuese dhe një zë iu drejtua Efstratit, duke i thënë: “Ti ke luftuar mirë. Tani, eja të marrësh kurorën”.
Pasi u përkul deri në tokë, shën Efstrati iu lut me gjithë zemër Perëndisë që t’i falte kurajën e domosdoshme në betejën finale që do të kryente. Atëherë ai u ngrit, u kthye me vendosmëri drejt furrës që ishte ndezur tashmë, e bekoi me dorën e tij dhe hyri brenda saj, duke lavdëruar Perëndinë njësoj si Tre Djemtë në Babiloni (Dan. 3).
Që nga ajo kohë e deri në ditët tona, 5 martirët e lavdishëm nuk kanë reshtur së kryeri mrekulli me anë të lipsaneve të tyre për të fuqizuar besimtarët, ose me anë të ikonave apo madje edhe drejtpërdrejt ata vetë. P.sh. në ishullin Hios, tregohet se, gjatë një dimri të ashpër, kur asnjë prift nuk mundej dot të shkonte në kishën e Pesë Martirëve, ditën e festës së tyre, pasi ajo ndodhej larg, vetëm një klerik shpresëtar vendosi të shkonte. Nuk kishte asnjeri, megjithatë ai vendosi ta kryente i vetëm shërbesën dhe, ndërsa filloi, pa papritur 5 persona të ngjashëm me shenjtorët në ikonën e tyre. Ata qëndruan te psaltiri dhe nisën të psalin të gjitha himnet e festës me zë të qartë. Kur erdhi koha për të lexuar Sinaksarin e martirizimit të tyre, Oresti e vendosi psaltirin në mesin e kishës dhe nisi të lexonte.
Kur mbërriti në përshkrimin e çastit të ngurrimit të tij, ai e ndryshoi tekstin paksa dhe lexoi “ai vuri buzën në gaz” në vend “u frikësua”. Atëherë ndërhyri Efstrati dhe i tha me një ton të rreptë: “Tani lexo saktësisht atë që ndodhi atëherë!”. Oresti, i skuqur në fytyrë, lexoi përsëri “dhe ai u frikësua”. Në fund të agripnisë, shenjtorët mbyllën librat dhe u bënë të padukshëm përsëri, duke u larguar njësoj siç kishin ardhur në mënyrë të mistershme.