Martiri i lavdishëm i Krishtit, Elefteri, emri i të cilit është sinonm me lirinë, lindi në Romë, gjatë shekullit të dytë. I ati vdiq kur Elefteri ishte i vogël, dhe ky u rrit me frikë Perëndie e me dashuri për virtytet e shenjta nga nëna e tij e devotshme, Anthia, ose Evanthia, që kishte marrë besimin e shenjtë nga apostull Pavli. Aniceti, episkopi i Romës (155-166), u përkujdes për edukimin e djaloshit të ri, cilësitë e të cilit ishin aq të qarta, saqë u dorëzua dhjak në moshën 15-vjeçare, prift në moshën 17-vjeçare dhe në moshën 20-vjeçare u dorëzua episkop nga papa i Romës, si episkop i selisë me shtrirje të gjerë të Ilirisë në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht moshës së tij të re, ai kishte arritur me anë të besimit të tij te Perëndia dhe zellit të piqej “në masën e moshës së plotësisë së Krishtit” (Efes. 4:13).
Reputacioni i madh i shenjtorit dhe mrekullitë që e shoqëronin predikimin e tij iu bënë të ditura perandorit, i cili u shqetësua nga fuqia e Kishës, e cila sa vinte e rritej. Ai dërgoi Feliksin, një nga oficerët e tij kryesorë, për të arrestuar episkopin e shenjtë, por, kur pa bariun e ri që rrezatonte në mes të grigjës së tij në Vlorë, ushtaraku i rreptë u trondit nga ëmbëlsia e mësimit të tij. Braktisi kotësitë e botës dhe besoi te Krishti, si dhe te premtimet e jetës së përjetshme dhe u pagëzua. Madje, duke pasur dëshirë të zjarrtë për të derdhur edhe gjakun e tij, ai u paraqit përpara perandorit bashkë me shenjtorin.
Joshjet dhe kërcënimet nuk i bënë asnjë përshtypje Elefterit. Ai rrëfeu Krishtin si Perëndi të vërtetë dhe e siguroi tiranin se për ata që kanë marrë Kryqin përmbi veten e tyre, torturat janë si lodra fëmijësh dhe se të vdesësh për Krishtin është lumturi e madhe. E shtrinë mbi një shtrat hekuri të përvëluar, pastaj i tërhoqën gjymtyrët dhe e spërkatën me vaj të nxehtë dhe lëndë të tjera djegëse. Por ai nuk u dëmtua aspak prej tyre, ngaqë Hiri e mbronte nga të gjitha torturat e të ligut. Ai e qortoi ashpër tiranin, duke e quajtur ujku i Arabisë (Hav. 1:8), sepse persekutonte grigjën e Krishtit. Sipas këshillës së Koremonit, prefektit brutal të qytetit, ata ndërtuan një furrë të mbushur plot me çengela të mprehtë, në të cilën hodhën atletin e Krishtit. Por në atë çast Elefteri u lut nxehtësisht për konvertimin e armiqve të tij dhe papritur Koremoni u ndriçua nga Shpirti i Shenjtë. Ai ndjeu një simpati të thellë për kauzën e shenjtorit dhe pohoi me trimëri Shpëtimtarin. Më pas hyri vetë në furrën që kishte përgatitur për shenjtorin. Por Hiri e ruajti të pacenuar së bashku me shenjtorin dhe u pagëzua nga Elefteri. Për këtë arsye i prenë edhe kokën.
Meqë Elefteri nuk pësonte gjë nga tortura e zjarrit, e futën në një burg të errët, ku një pëllumb vinte rregullisht për t’i sjellë ushqim. Më vonë e nxorën dhe e lidhën pas kuajve të egër, duke i fshikulluar me kamxhik që të ecnin me revan dhe ta vrisnin shenjtin. Por një engjëll i Perëndisë erdhi dhe e çliroi shenjtorin dhe ai u vendos në lartësitë e një mali atje pranë. Aty jetoi në paqe për ca kohë në shoqërinë e kafshëve të egra, që qëndronin të palëvizura, ndërsa ai lutej dhe lavdëronte Perëndinë, Krijuesin e Universit.
U zbulua nga disa gjahtarë dhe u arrestua përsëri. Gjatë rrugës për në Romë, ai ktheu në besim shpurën e ushtarëve dhe solli shumë paganë në njohjen e së vërtetës, para se të dilte përpara gjykatës së tiranit. E dënuan duke ua hedhur luanëve në arenë në një ditë feste, por, kur kafshët dolën jashtë kafazeve, erdhën pranë tij dhe nisën të luajnë si kotele të buta. Në fund fare shenjtorit i prenë kokën; kështu fitoi kurorën e jetës së përjetshme. Sapo shpata i preku kokën, e ëma, Anthia, nëna e tij, vrapoi për të rrokur trupin e të birit, duke e lavdëruar që kishte luftuar me aq trimëri për Zotin. Atëherë xhelatët iu sulën me shpata dhe e përzien gjakun e saj me atë të të birit, Elefterit.
Gratë shtatzëna e kanë zakon t’i luten shenjtorit për të pasur një lindje të mirë dhe të shëndetshme.