Gjatë persekutimit të Deciusit (250), Kumbriku u dërgua si guvernator i Bitinisë për të torturuar dhe vrarë të krishterët e qyteteve të Nikomedisë, Nikeas dhe Qesarisë. Një fisnik i krishterë i Qesarisë, që quhej Lefki, u zemërua aq shumë nga bëmat e përgjakshme të guvernatorit, saqë i doli përpara duke e qortuar me zë të lartë: “ O qen i pangopur, për sa kohë do të derdhësh gjak si ujë duke vrarë pa mëshirë dishepujt e Krishtit, ngaqë dëshiron që ata t’u falen gurëve dhe drurëve sikur të ishin perëndi?”. Guvernatori, i tërbuar nga guximi i tij, e rrahu derisa ia bëri mishin copa-copa. I egërsuar në kulm, urdhëroi xhelatët t’ia prisnin kokën.

Të tmerruar nga lajmi i martirizimit të Lefkit, të krishterët kërkuan të gjenin mbrojtje nëpër shpella e male, përveç Thirsit, i cili shquhej për trimëri. Ai shkoi vetë përpara tiranit dhe i kërkoi ta dëgjonte në audiencë. Duke i folur me qetësi dhe i bindur në ato çka thoshte, u përpoq t’i tregonte se sa e dëmshme është për njerëz të pajisur me arsye që të adhurojnë krijesat pa arsye dhe elementet e natyrës. Ai u mbështet në dëshmitë e Shkrimit të Shenjtë, por e gjithë përpjekja e tij shkoi kot në këtë rast. Kumbriku nuk donte as të dëgjonte dhe as të arsyetonte, por i kërkoi që t’i bindej verbërisht vullnetit dhe urdhrit të perandorit. Thirsi, i lidhur kokë e këmbë, iu dorëzua egërsisë së torturuesve. Ata e rrahën derisa u lodhën vetë; i dërrmuan brinjët; i nxorën jashtë sytë dhe i derdhën sipër trupit plumb të shkrirë. Por shenjtori qëndronte i pamposhtur ndaj këtyre torturave, sepse mbrohej nga Hiri i Perëndisë që e rrethonte si një parzmore e padukshme dhe madje i rrëzoi edhe idhujt që ishin aty, me anë të lutjes së tij. Kur e çuan në qeli, u vizitua nga vetë Zoti Jisu Krisht që i dha guxim dhe kurajë për betejën dhe e çoi pranë një episkopi për të marrë Pagëzimin e shenjtë, si përgatitje për Pagëzimin e vërtetë me gjakun e martirizimit.

Thirsi u torturua edhe në Apamea kur mbërriti atje Silvani, zyrtar perandorak, i cili po bënte një udhëtim për të inspektuar krahinat e ndryshme, para të cilit Kumbriku donte të shfaqte tërë zellin e tij. Por përsëri shenjtori qëndroi i palëkundur në pohimin e besës së krishterë. Për më tepër u tha të 2 zyrtarëve se vdekja e tyre ishte shumë e afërt. Kjo gjë ndodhi dhe ata u zëvendësuan nga një i tretë që quhej Babdus, i cili e hodhi Thirsin në det të mbyllur në një thes, por martiri i pamposhtur u shpëtua nga një engjëll. Më pas u mor nga Apamea dhe u çua në qytetin e tij të lindjes, në Qesari, që ta hidhnin në gropën e luanëve. Por edhe në këtë rast torturuesit e tij dështuan, sepse luanët erdhën dhe nisën t’i lëpinin këmbët Thirsit e të luanin rrotull tij.

Atëherë tirani e transferoi shenjtorin në një qytet të vogël të Bitinisë, që quhej Apollonia, ku iu nënshtrua përsëri torturave. Një prift idhujtar që quhej Kalinik, duke parë qëndrueshmërinë e shenjtorit dhe mrekullitë që kryheshin nga hiri i Perëndisë, e kuptoi fuqinë e madhe që të krishterët e marrin nga Perëndia i Vetëm, Krijuesi dhe Zoti i të gjitha gjërave. Prandaj i doli përpara guvernatorit dhe u tall me kotësinë e kultit perandorak. Për këtë arsye, u arrestua dhe u dënua të vdiste bashkë me Thirsin. Kalinikut i prenë kokën, ndërsa Thirsin, pasi e futën në një kuti të ngushtë druri, e vranë duke e sharruar me ngadalë.




Mbrapa

PayPal