Shën Gjenovefa lindi rreth vitit 422 në fshatin Nanter, afër Parisit. I ati quhej Sever dhe ishte bari, ndërsa e ëma Gerontia. Tradita tregon se kur shenjtorja ishte 7 vjeçe, shën Gjermani i Okserit bashkë me shën Lupin e Trojës (tek po shkonin në Angli për të luftuar herezinë e Pelagjit), kaluan natën në Nanter. Të dy episkopët e shenjtë mbërritën aty me vështirësi, pasi një grup shumë i madh njerëzish u kërkonin bekimin. Këtu ishte dhe Gjenovefa me prindërit e saj. Shën Gjermani e dalloi nga mëshira dhe butësia engjëllore e tipareve të saj.
Tradita shton se fryma e Perëndisë i dha episkopit një ndriçim të menjëhershëm dhe i zbuloi vajzës misionin e saj në të ardhmen. Gjenovefa, pasi iu afrua së bashku me prindërit, i tha se do t’i përkushtohej Perëndisë. Episkopi ia dha bekimin për këtë rrugë, pastaj e çoi në kishë, i shoqëruar nga i gjithë populli. Gjatë këndimit të psalmeve dhe të lutjeve ai e mbajti dorën të shtrirë mbi kokën e vajzës dhe vazhdoi kështu deri në drekë, derisa i ati t’i premtonte vogëlushes se do ta sillte të nesërmen përsëri, para se ata të largoheshin. Të nesërmen prindërit e shpunë vajzën e tyre tek episkopi në orën e caktuar.
Shën Gjermani e pyeti vajzën nëse i kujtohej premtimi që kishte bërë dje para Perëndisë. “Po, – u përgjigj vajza, – më kujtohet dhe shpresoj të jem besnike me ndihmën e Hirit”. Episkopi i dha një medaljon bakri, ku ishte gdhendur një kryq dhe e këshilloi ta mbante gjithmonë në qafë, që të kujtohej vazhdimisht për përkushtimin ndaj Perëndisë. Që nga ai çast Gjenovefa e pa veten të ndarë nga bota dhe, megjithëse ishte shumë e re në moshë, ajo pati zell për t’u ushtruar në vepra bamirësie. E ndiente veten shumë të lumtur kur shkonte në kishë. Tradita na tregon, në lidhje me këtë, historinë e mëposhtme:
“Një ditë, kur nëna e saj shkoi në kishë, nuk e mori me vete vajzën. Gjenovefa, plot dhimbje, i kërkoi ta shoqëronte, por të gjitha këto nuk vlenin, madje nëna e paduruar i dha një shuplakë. Perëndia e dënoi këtë qëndrim me verbëri, pra nëna u verbua, por iu premtua më pas se do të shërohej, duke larë dy ose tri herë sytë me ujin që vajza kishte nxjerrë nga pusi, mbi të cilin kishte bërë shenjën e kryqit. Më vonë nëna e saj u shërua dhe kjo shënoi mrekullinë e parë të Gjenovefës. Kjo është dhe origjina e traditës popullore të pusit në Nanter, i bekuar nga shën Gjenovefa dhe që shëron sëmundje”.
Pas vdekjes së prindërve, shkoi në Paris dhe qëndroi te kumbara e saj; atje bëri jetë edhe më asketike. Nga këto ushtrime fitoi pastërti, përulësi të thellë, besim të gjallë, dashuri të zjarrtë, të cilat e bënë të derdhte rrëke lotësh. Shenjtëria e madhe e Gjenovefës bëri që shumë njerëz ta kishin zili dhe ta përgojonin, por pafajësia e saj u njoh nga të gjithë. Atila, mbreti i hunëve, hyri në Francë me një ushtri, duke shkretuar e prishur çdo vend ku shkelte. Shumica e historive të kësaj periudhe dëshmojnë për përshtypjen e keqe që la në mendjen e popullit plaçkitja dhe barbaria e tij. Zhurma e mbërritjes së tij alarmoi Parisin; banorët, të cilët nuk kishin siguri në qytete, braktisën gjithçka.
Gjenovefa, e shqetësuar nga ky rrezik, me besim të fortë e të patundur te Perëndia, lajmëroi se armiku do të largohej nëse parisianët do të kreshmonin e do të luteshin. Nxiti njerëzit që të mos largoheshin dhe filloi të lutej nxehtësisht. Dhe, për çudi, hunët ndryshuan drejtim. Parisi u shpëtua, dhe që atëherë shën Gjenovefa filloi të nderohej çdo ditë e më shumë si mbrojtësja e qytetit.
Më vonë, kur Parisi udhëhiqej nga Shilderiku, populli u kërcënua nga uria. Gjenovefa ishte në krye të atyre që shkuan me një flotë varkash që të kërkonin ushqim dhe, me gjithë rreziqet e lundrimit, i shoqëroi deri në Arsis-syr-Ob, ku u furnizuan me grurë, të cilin ua shpërndau gjithë banorëve, duke filluar nga më të varfrit. Shilderiku, megjithëse ishte pagan, e nderoi virtytin e shenjtores dhe me lutjet e saj kreu shumë vepra bamirësie. U imitua nga i biri Klovis, i cili lironte të burgosurit sa herë që e lumura ndërmjetonte për ta.
Ndihmoi me këshillat e saj qeverisjen e mbretit Klovis, madje ishte krahu i tij i djathtë. Te disa autorë gjejmë edhe këtë shprehje: “Shën Gjenovefa ishte engjëlli mbrojtës i Klovisit”. Prej saj ky i fundit u pagëzua dhe kjo ngjarje pati rëndësi për përhapjen e Krishterimit në Perëndim. Në moshën 89-vjeçare, pasi kishte bërë çdo lloj vepre bamirësie, shën Gjenovefa fjeti më 3 janar 512, 5 javë pas Klovisit, mbretit të parë të krishterë. Ajo është kujtuar gjithmonë si mbrojtësja e Parisit.
Më 1129, nën mbretërimin e Lyi-lë-Gro-it, një sëmundje e tmerrshme po bënte kërdinë. Me gjithë mjekimet dhe lutjet publike, epidemia vazhdonte dhe me shpresën për ta ndaluar u bë një procesion solemn, ku eshtrat e shën Gjenovefës u çuan në katedrale. Që nga ajo kohë kjo ceremoni mbahej për çdo fatkeqësi publike. Shenjtorja quhet mbrojtësja e Parisit, sepse ka shpëtuar qytetin nga përmbytjet, sëmundjet, epidemitë, zitë e bukës dhe vazhdon ta mbrojë përherë. Për fat të keq, gjatë Revolucionit francez më 1789, lipsanet e saj u dogjën dhe u hodhën në lumin Sena nga revolucionarët, por disa pjesë gjenden ende sot në Panteon.