Shën Bonifati ishte skllav në shërbim të një zonje të pasur romake të quajtur Agllai, bijë e një prokonsulli të kryeqytetit, në kohën e perandorit Dioklecian (284-305). Ai merrej me mbarëvajtjen dhe mbarështimin e pasurisë së madhe të zonjës së tij dhe bënte jetë të shthurur, sipas zakoneve të njohura të Romës në këtë kohë. Shpeshherë, duke u dhënë pas dehjes dhe imoralitetit, ai kishte rënë në mëkat edhe me vetë Agllainë dhe nuk dukej se e vriste ndërgjegjja për një akt të tillë. Megjithatë, ai ishte i mirë dhe bujar, praktikonte mikpritjen në shkallën më të lartë për të huajt dhe u ndante lëmosha të shumta me dhembshuri të varfërve.
Pas disa vitesh të një jete të tillë, Agllaia, e munduar nga qortimet e ndërgjegjes së saj dhe duke pasur frikë se një ditë do të jepte llogari përpara Perëndisë, dëgjoi nga të krishterët se ai që u shërben dhe i nderon lipsanet e martirëve të shenjtë, do të gëzojë ndërmjetimin e tyre pranë Perëndisë dhe do të gjejë faljen e mëkateve të tij. Duke u mbushur me shpresë për një gjë të tillë, ajo e thirri Bonifatin dhe i dha urdhër të shkonte në Azinë e Vogël, atje ku të krishterët vuanin persekutimin, për të blerë me argjend lipsane të shenjta dhe për t’i sjellë ato në Romë. Ende i pandjeshëm ndaj Perëndisë, shërbëtori dhe i dashuri i saj iu përgjigj duke u tallur: “Po nëse të sjell trupin tim në formën e një lipsani, do ta nderosh si një shenjtor?”. “Nuk është koha për të bërë më shaka” iu përgjigj Agllaia me një ton qortues. “Shkunde dehjen tënde dhe bëhu gati me shpejtësi të madhe për këtë udhëtim, sepse unë mëkatarja po pres me padurim kthimin tënd, që të fitoj faljen nga Perëndia”.
Pasi mbërriti në Tars të Kilikisë, në krye të një shpure të shumtë në numër dhe i pajisur me sasi të madhe ari dhe çdo gjë tjetër që ishte e nevojshme për të balsamosur dhe për të transportuar me luks lipsanet e shenjta, Bonifati shkoi në amfiteatër, në arenën e të cilit pa i habitur torturat e një grupi martirësh prej 20 vetash. Njëri prej tyre i kishte gjymtyrët e shqyera në mes të 4 shtyllave, një tjetër ishte varur kokëposhtë, mbi të tjerët xhelatët po derdhnin tërë vrullin e tyre duke i rrahur me kamxhikë ose duke u çjerrë brinjët me grepa hekuri… Por gjithë të krishterët dukeshin sikur nuk i ndienin fare torturat, saqë kurtizani i shthurur ndjeu zemrën të zbutej përbrenda tij. I mbytur në lot ra në këmbët e tyre, deklaroi publikisht se ishte i krishterë. E çuan përpara gjykatës së guvernatorit, ku ai hodhi poshtë me përbuzje kultin e idhujve dhe pohoi me guxim Shpëtimtarin Krisht. Më pas e dërguan edhe atë në amfiteatër, ku, falë lutjes së shenjtorëve, duroi të gjitha llojet e torturave me pandjeshmërinë e atij që duket sikur ka dalë jashtë trupit dhe është i huaj për botën. I futën shkopinj me majë në thonj, i derdhën plumb të shkrirë në gojë, e zhytën në një kazan me zift të valuar, por prapëseprapë ai mbeti i patundur përpara këtyre torturave.
Të nesërmen, atleti i Krishtit, dëgjoi me gëzim vendimin për vdekjen e tij dhe, para se t’i pritej koka, bëri shenjën e Kryqit, iu drejtua Zotit me një lutje të zjarrtë për forcimin e popullit të krishterë dhe që vdekja e tij, sipas imitimit të Krishtit, t’i falte faljen e mëkateve të tij dhe hyrjen në gëzimin e përjetshëm.
Shokët e tij të udhëtimit, fillimisht menduan se, sipas zakonit të tij, Bonifati duhej të gjendej në ndonjë tavernë apo në vende të tjera të shthurura, por më pas nisën të shqetësoheshin për mungesën e tij të gjatë dhe filluan kërkimet. Ata takuan rastësisht në qytet vëllanë e xhelatit që i kishte prerë kokën Bonifatit dhe ai u tha se pikërisht një natë më parë, kishin ekzekutuar një romak, që dukej se i përputhej përshkrimit të bërë të shokut të tyre. Edhe pse u dukej e pamundur që martiri në fjalë të ishte Bonifati, ai njeri i shthurur, ata shkuan me vrap në amfiteatër dhe gjetën të habitur aty trupin e tij, të cilin e blenë për 50 lira ari dhe e çuan me nderime të mëdha në Romë.
Një engjëll i Zotit, iu shfaq atëherë Agllaisë dhe i tha: “Ngrihu për të takuar atë që ishte shërbëtori yt dhe shoku yt i shthurjes dhe tani është bërë vëllai ynë. Prite si zotërinë tënd, sepse, falë atij, të gjitha mëkatet e tua të janë falur”. Në kulmin e gëzimit, ajo mblodhi një shpurë tërë shkëlqim për ta pritur, sipas profecisë së pavullnetshme, trupin e shën Bonifatit, disi më larg Romës, në një vend ku më pas ajo ndërtoi një kishë të bukur dhe të madhe në nder të tij, në të cilën janë kryer shumë mrekulli. Agllaia, në vazhdim, hoqi dorë nga nderimet e botës, ua shpërndau pasurinë të varfërve dhe iu përkushtua asketizmit e lutjes, duke fituar edhe fuqinë për të bërë mrekulli. Ajo fjeti në paqe në Zotin 13 vjet më vonë, me sigurinë se fëlliqësitë e jetës së saj të kaluar ishin shlyer, falë ndërmjetimit të shën Bonifatit.