Shën Llukai lindi në vitin 879, në një familje të pasur në qytetin e Temës së Anatolikisë në Azisë e Vogël. Kur shpërtheu lufta kundër mbretit ambicioz Simeon bullgarit (897), djaloshi i ri, atëherë 18-vjeçar, u mobilizua në ushtri dhe mori pjesë trimërisht në betejat e mësoi në të njëjtën kohë jetën e vështirë asketike, nën influencën e 2 shokëve të tij, që ishin nxënësit e një stiliti të shenjtë. Pas disfatës së Bulgarofigonit, ai la ushtrinë e kësaj bote për t’u rreshtuar në atë shpirtërore të ushtarëve të Krishtit. Llukai shkoi pranë stilitit, për të veshur Skimën murgërore dhe nisi menjëherë një luftë të fortë pa mëshirë kundër kryengritjeve të trupit, duke e ngarkuar atë me zinxhirë të rëndë dhe duke ngrënë vetëm një herë në javë.
Pas 6 vjetësh ashpërsish të tilla, ai u dorëzua prift dhe iu ribashkua ushtrisë perandorake në funksionin e priftit ushtarak, kapelan, por pa e braktisur aspak asketizmin e tij. Përveç kësaj, ai bënte edhe shumë lëmosha duke u dhuruar ushtarëve nevojtarë të gjitha burimet financiare që i kalonin nëpër duar. Gjatë një zie buke, ai u kthye fshehurazi në pronën e prindërve të tij dhe ua ndau të varfërve të gjitha ato që ndodheshin nëpër hambarë. Shumë herë përdori këtë marifet të shenjtë për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë, duke përdorur të mirat e të afërmve të tij.
Një ditë ai braktisi atdheun e tij pa e marrë vesh njeri dhe shkoi në malin Olimp (në Bitini), në manastirin e Shën Zaharisë, ku për 3 vjet shërbeu në qilar. Atje qëndroi në heshtje të plotë, sipas shembullit të shenjtorit të manastirit, atit të shën Joan Pararendësit. Për këtë arsye, mbante një gur të rëndë në gojë dhe komunikonte me vëllezërit duke shkruar në një pllakë. Ua kalonte të gjithë vëllezërve në asketizëm dhe lutje, duke u lutur gjatë gjithë netëve me lutje të zjarrta, i hipur në një pemë jashtë në qiell të hapur. Pasi u zbuluan këto praktika të tij, ai braktisi manastirin dhe u kthye në atdhe, ku gërmoi një shpellë të errët në një mal dhe hyri atje brenda, duke duruar me burrëri sulmet e demonëve për dy vjet e gjysmë.
Pastaj e la këtë vendbanim, sepse trupi iu mbush me plagë për shkak të pickimit të insekteve të ndryshme dhe u vendos pranë kishës së vogël të Shën Dhimitrit, në majë të një shtylle. Sipas shembullit të paraardhësve të tij të ndritur Simeon Plakut, Simeonit të Ri, Danielit dhe Alipiosit, Llukai ndërmori i vetëm ndërmjet tokës dhe qiellit përpjekje të reja asketike kundër elementeve të natyrës, të ftohtit të akullt të dimrit, të nxehtit përvëlues të verës, kundër erërave dhe shirave. Ai u rezistonte më së miri këtyre sprovave, pa i lënë kreshmët dhe ushtrimet e tjera të ashpra shpirtërore, duke e ruajtur syrin e shpirtit të tij të pashqetësuar, të kthyer gjithmonë drejt të mirave të jetës së përjetshme.
Pas 3 vjetësh, një zë qiellor e urdhëroi të shkonte dhe të vendosej (si një shenjë, jo vetëm për engjëjt, por edhe për njerëzit) mbi një shtyllë të vendosur në hyrje të kryeqytetit, në lagjen e Eftropit. Ai u bind pa hezituar dhe, me bekimin e episkopit të vendit, u ngjit në shtyllë më 11 dhjetor 935. Jetonte gjithnjë i drejtuar nga qielli në këtë vend të ngritur dhe e lartësonte përditë shpirtin e tij, duke duruar me trimëri në këtë luftë të dyfishtë: luftë kundër mishit rebel për t’ia nënshtruar shpirtit, si dhe kundër sulmeve të frikshme të frymëve të papastra me anë të durimit dhe shpresës së fortë në ndihmën e Perëndisë. Sa më shumë që ai lartësohej drejt Perëndisë në këtë mënyrë, aq më tepër hiri derdhej me bollëk tek ata që vinin te shtylla e tij.
Meqë i përkiste i gjithi Perëndisë, shenjtori “bëhej gjithçka për të gjithë” (1 Kor. 9:22). Vuante me fatkeqësitë e secilit, nga më fisniku deri tek më i fundit i bashkëqytetarëve të tij, dhe u ofronte me anë të lutjes së tij shërimin e sëmundjeve të tyre, ngushëllim ndër hidhërime, dallim në mendimet e tyre të fshehta, parathënien e së ardhmes dhe faljen e mëkateve që ai rrëfente. Shtylla e tij ishte shndërruar për banorët e Konstandinopojës në liman shpëtimi, ku shpirtrat më të vuajtur mund të gjenin paqen dhe gëzimin e pendimit.
Shën Llukai qëndroi më shumë se 40 vjet në atë shtyllë, si një engjëll mbi tokë, pasi mposhti në mënyrë të përsosur si armiqtë e brendshëm, ashtu edhe ata të jashtëm, duke bërë që të shkëlqejë në sytë e njerëzve drita e virtyteve të tij, që ata të lavdërojnë Atin qiellor (Matth. 5:16). Ai fjeti në paqe më 11 dhjetor 979, në një moshë më shumë se 100 vjeç dhe u varros në manastirin e Shën Vasianit, të cilin e kishte restauruar me ndihmën e mikut të tij, patriarkut Theofilakt.