Kur judenjtë e Korinthit, xhelozë për predikimin e apostull Pavlit, e kapën atë dhe e çuan përpara Galionit, prokonsullit të Ahaisë (Veprat 18:12), ata u kthyen mbrapsht nga gjykata pa fituar dënimin që kërkonin me të madhe. Plot me inat dhe mllef, ata e kapën Sosthenin, kryetarin e Sinagogës, që ishte kthyer nga Judaizmi në Krishterim dhe e rrahën me shkopinj. Sostheni e shoqëroi më vonë apostull Pavlin në udhëtimet e tij dhe u bë episkop i qytetit të Kolofonit në Azinë e Vogël, që varej nga mitropolia e Efesit.

Apostulli Apollo, i cili ishte jude me origjinë nga Aleksandria (shih Veprat 18:24-25), ishte një njeri që kishte studiuar në thellësi Shkrimet e Shenjta. I konvertuar nga apostujt në besimin te Zoti Jisu Krisht, ai predikonte me zell të madh, edhe pse njihte vetëm pagëzimin e shën Joan Pagëzorit. Kur po kalonte në Efes, shën Akila dhe Priskila e katekizuan, i mësuan përsosmërinë e besimit të krishterë dhe e pagëzuan. Pastaj ai shkoi në Korinth ku vazhdoi veprën e apostull Pavlit pranë paganëve. Por talenti i tij si orator bëri që ai të kishte një sukses të jashtëzakonshëm, saqë korinthianët u ndanë në dy grupe kundërshtare: në ata që ishin me Pavlin dhe ata që ishin me Apollon. Kjo është arsyeja se përse apostull Pavli i qorton në letrën e tij të parë (1 Kor. 1-4), duke u shfaqur atyre se apostujt punojnë të gjithë, sipas hirit që u është dhënë, si bashkëpunëtorë të Perëndisë për ndërtimin e Kishës së vetme, Trupit mistik të Krishtit. Më pas Apolloi u bë episkop i Cezaresë.

Epafroditi ishte edhe ai një nga shokët e apostull Pavlit. Meqë ndodhej në qytetin e Filipit në Maqedoni për shërbimin e Ungjillit, ai u dërgua nga të krishterët pranë apostull Pavlit, që ndodhej i burgosur në Romë, që t’i çonte atij dhuratën e tyre. U sëmur rëndë, por e ruajti Perëndia, për të vazhduar më tej misionin e tij dhe u dërgua nga apostull Pavli në Filipi, dhe u çoi atyre Letrën (e apostull Pavlit) dërguar Filipianëve. Sipas disave, ai u bë më pas edhe episkop i Kolofonit, pas Sosthenit; ndërsa sipas të tjerëve, vazhdoi të ishte episkop i Filipit.

Çezari/Qesari përmendet shkurtimisht nga apostull Pavli në Letrën (e këtij) drejtuar Filipianëve (4:22). Sipas traditës, ai u bë episkop i Koronesë në Peloponez. Sipas një dorëshkrimi në bibliotekën e Kishës së Jerusalemit, apostull Çezari përmendet si episkop i Durrësit dhe më pas i Koronës.

Tihiku, (shih Efesianët 6:21, Kol. 4:7), bashkëpunëtor besnik i Apostullit të Kombeve, ishte me origjinë nga Azia e Vogël. Ai shoqëroi Pavlin nga Korinthi në Jerusalem (Veprat 20:4) dhe i shërbeu si lajmëtar për të transmetuar letrat dhe mësimet e tij në kishat e largëta. Sipas disa burimeve, është ai që e pasoi Sosthenin në fronin e Kolofonit; sipas të tjerëve, ai ishte episkopi i parë i Halkidonës së Bitinisë.
Për apostull Kefan, Sinaksarët nuk na japin asnjë të dhënë.




Mbrapa

PayPal