Në epokën më të vështirë të historisë së popullit rus, shën Aleksandri shkëlqeu me guximin dhe virtytet e tij si kryetar i shtetit të krishterë: energjik, vigjilent, mbrojtës i besimit dhe i drejtësisë, mori nga Perëndia detyrën të ishte në shërbim të popullit të tij, të kërcënuar nga të gjitha anët. Që në moshë të re, hyri në ushtri dhe u përgatit në artin e qeverisjes nga i ati Iaroslavi, princ i qytetit të Perejiaslavit; mësoi t’i përdorte të dyja me urtësi, mëshirë e drejtësi.

Më 1228, ende 10 vjeç, bashkë me vëllanë e tij më të madh u bë princ i qytetit të madh të Novgorodit. Menjëherë u ndesh me vështirësitë e qeverisjes, sepse banorët e qytetit ishin ndarë nga luftërat vëllavrasëse mes të pasurve dhe të varfërve të shtypur nga taksat dhe tirania e fisnikëve. Më 1231, kjo situatë u rëndua edhe nga zia e bukës dhe një dimër tmerrësisht i ashpër, gjë që solli shumë viktima. Ai nxori tërë rezervat dhe i ndihmonte personalisht si të varfrit, ashtu edhe të pasurit.

Që prej vitit 1223, tartarët e ardhur nga Azia Qendrore kishin pushtuar dhe shkatërruar territore të shumta, dhe mes viteve 1237 dhe 1239, kishin depërtuar në Rusi, duke vrarë e plaçkitur kudo ku shkelnin. Qëndruan në Vladimir, por ndaluan rreth 100 km nga Novgorodi, për t’iu drejtuar më pas Kievit dhe për ta bërë shkrumb e hi. U ndalën atëherë në pjesën juglindore të Rusisë, në një territor me rëndësi strategjike të quajtur “Hordhia e Artë”, duke kontrolluar hyrjen në Detin e Zi, në Kaukaz dhe në Azinë Qendrore.

Pas vdekjes së vëllait më 1236, Aleksandri u bë princ i Novgorodit dhe iu desh të përballonte rrezikun që i vinte nga Perëndimi, nga mbretëria e Suedisë, nga ajo e Lituanisë dhe nga kalorësit teutonikë (urdhër murgëror ushtarak, që vepronte në brigjet e Baltikut mes Polonisë dhe Finlandës, i cili kishte si mision kthimin me dhunë të popujve sllavë dhe baltikë në katolicizmin roman), po përpiqeshin së bashku të pushtonin territoret e principatave ruse të dobësuara nga invazioni mongol dhe konfliktet mes tyre.

Më 16 korrik 1240, Aleksandri u detyrua të mblidhte një ushtri që të përballonte sulmin masiv dhe të egër të suedezëve në betejën e Nevas. Në të ngrysur, shën Borisi e Glebi u shfaqën mbi një anije të mistershme, duke zbritur nga lumi Neva, duke shpejtuar të vinin në ndihmë të Aleksandrit. Të forcuar nga ky vizion dhe të mbështetur nga Hyjlindësja, Aleksandri dhe njerëzit fituan mbi armiqtë. Me gjithë këtë fitore, populli i Novgorodit, përsëri e dëboi për disa kohë heroin e tij; por një vit më vonë, kur kalorësit teutonikë hynë në Pskov dhe kërcënuan se do të merrnin Novgorodin, ata e thirrën përsëri shenjtin, i cili korri një fitore të madhe dhe historike pranë liqenit Peipus (1242). Atëherë ai u prit triumfalisht në Novgorod dhe kaloi 4 vjet atje, për ta mbrojtur nga inkursionet e lituanezëve.

Kur ndërroi jetë i ati, më 1246, Aleksandri u thirr në “Hordhinë e Artë”, pranë Khanit tartar, bashkë me princa të tjerë. Zakoni kërkonte që t’i bëhej homazh sovranit mongol, dhe t’i nënshtroheshin zakoneve pagane, përndryshe të priste vdekja. Aleksandri e dinte këtë, por për asgjë në botë nuk mund të tradhtonte besimin e krishterë, prandaj edhe u përgatit për vdekjen. Kur mbërriti para Khanit, nderoi sovranin me përkulje të kokës, por refuzoi t’u nënshtrohej riteve pagane, duke thënë: “Madhëri, unë të nderoj, sepse Perëndia të dha pushtetin, por nuk mund të adhuroj idhujt, sepse jam i krishterë dhe adhuroj Perëndinë e vetëm në Tre Persona, Krijuesin e qiellit dhe të tokës”.

Khani, i impresionuar nga guximi i tij dhe duke ditur fitoret e shenjtorit, urdhëroi që të mos i bënin asgjë të keqe, madje ta mikprisnin me të gjitha nderet. Që aty, Aleksandri bashkë me të vëllanë, Andrein, u dërguan te Khani i madh, në Karakorum, në skajet më ekstreme të Mongolisë. U kthye në Novgorod më 1251, i lodhur dhe i sëmurë, por i konfirmuar si princ i Novgorodit dhe i Kievit, duke marrë mbështetjen e pushtuesve.

Më 1252 Andrea, princi i Vladimirit, u ngrit kundër tartarëve dhe u bë aleat me suedezët, gjë që kërcënonte t’i sillte Rusisë vuajtje e ndëshkime. Aleksandri u kthye përsëri te krerët tartarë dhe mundi ta evitonte invazionin. Bleu të burgosur me rezervat e shtetit dhe, pasi kishte siguruar pushtetin mbi të gjithë Rusinë, nisi të mbledhë popullin e shpërndarë të Kievit.

Në të njëjtën periudhë, princi i shenjtë duhet të përballonte edhe kërcënimet e vazhdueshme që vinin nga Perëndimi. Papa i Romës, Inocenti IV, kishte dërguar misionarë te principatat ruse, për ta kthyer popullin orthodhoks në romanokatolikë, por Aleksandri reagoi fuqishëm, duke i refuzuar dogmat e huaja për traditën apostolike që i ishte përcjellë popullit rus nga misionarët bizantinë. Atëherë fuqitë katolike ngritën një “kryqëzatë” të vërtetë kundër tij. Më 1256 suedezët, danezët dhe finlandezët, bashkë me kalorësit gjermanë u sulën drejt Novgorodit, por Aleksandri e mundi koalicionin, madje pushtoi edhe Finlandën.

Më 1260, taksat, që mongolët kërkonin, u rritën dhe ata që nuk mund t’i shlyenin dot merreshin skllevër. Aleksandri u nis përsëri në mision që të kërkonte lehtësimin e taksave, por, i lodhur nga udhëtimi dhe sëmundja ndërroi jetë rrugës, më 14 nëntor 1263, pasi kishte veshur skimën e madhe murgërore në shtratin e vdekjes dhe kishte marrë emrin Aleks.

Në varrin e tij u kryen shumë mrekulli dhe shfaqje, veçanërisht për fitoret e Rusisë kundër mongolëve më 1380, 1552 dhe 1572. Më 1380, lipsani i tij u gjet i paprishur. Në shekullin e 18-të u shpall shenjti mbrojtës i popullit rus nga cari Petri i Madh.




Mbrapa

PayPal