Pamfili i shkëlqyer ishte udhëheqësi i korit të dymbëdhjetë martirëve të shenjtë nga vende dhe profesione të ndryshme, të cilët së bashku krijojnë një ikonë të Kishës në të gjithë diversitetin e saj. Pamfili, me origjinë nga Bejruti (Berytus) i Sirisë, ishte nxënësi i Pieriusit, pasuesit të Origjenit në Shkollën Katekitike të Aleksandrisë. Ai ua shpërndau të varfërve pasurinë e tij dhe e la lavdinë e botës për t’iu përkushtuar praktikimit të virtyteve të shenjta dhe meditimit të Fjalës së Perëndisë. Duke qenë një admirues dhe avokat i mësimit të Origjenit, ai la Aleksandrinë dhe shkoi në Qesari të Palestinës, ku u hirotonis prift dhe u bë drejtor i Shkollës Katekitike, të themeluar nga mjeshtri i madh. Jetoi si një martir edhe përpara se të fillonte persekutimi, duke shpërfillur të gjitha kënaqësitë e mishit me anë të asketizmit dhe duke iu përkushtuar me zell të pashuar transkriptimit dhe interpretimit të Shkrimit të Shenjtë, sipas metodës alegorike të mësuesit të tij.

Pamfili u arrestua më 307, kur persekutimi i Maksimin Daiut kishte filluar të godiste me egërsi mbarë Lindjen. E nxorën përpara Urbanit, guvernatorit mizor të Palestinës, i cili, pasi hetoi dijen e tij të madhe në lëmin e filozofisë, i dha urdhër t’u ofronte sakrificë idhujve. Prifti i shenjtë i Perëndisë i duroi të gjitha torturat me qëndrueshmërinë e një qenieje të patrup dhe pas këtyre e burgosën. Shokët e tij të burgut ishin dhjak Valensi, një njeri fisnik dhe i moshuar, dhe Pavli, që i kishte duruar të rrahurat pa u ankuar.

Ata kaluan në burg dy vjet së bashku, deri kur pesë të krishterë nga Egjipti mbërritën në portat e Qesarisë. Këta u kthyen në atdheun e tyre, pasi kishin shoqëruar disa konfesorë të besimit, të internuar në minierat e Kilikisë. Kur i pyetën në portat e qytetit, këta nuk e fshehën faktin se ishin të krishterë, ndaj i arrestuan si keqbërës dhe i çuan përpara Firmilianit, guvernatorit të qytetit, i cili i torturoi dhe i mori në pyetje. Kur i pyetën për emrat e tyre, në vend që t’u thoshin të vërtetën, këta u përgjigjën se quheshin sipas emrave të profetëve të Dhiatës së Vjetër: Ilia, Jeremia, Isaia, Samueli dhe Danieli. Dhe kur gjykatësi donte të mësonte se nga vinin, këta i thanë me një zë: “Nga Jerusalemi”, duke iu referuar qytetit të Jerusalemit të Sipërm, që ndodhet në qiell, Qytetit të Perëndisë së gjallë, atdheut të të gjithë të krishterëve. Kur dëgjoi emrin e vjetër të qytetit rebel, të riquajtur Aelia nga romakët, gjykatësi mendoi se të krishterët ishin mbledhur për të bërë komplot kundër perandorit. Ai urdhëroi ta rrihnin me kamxhik martirin që foli dhe, duke parë se ai mbeti i palëkundur në qëndrimin e tij, e dënoi atë dhe katër shokët e tij me prerje koke.

Por guvernatori nuk u mjaftua me kaq. Ai dha urdhër të sillnin Pamfilin dhe shokët e tij. Ata kishin dhënë provën e qëndrueshmërisë së tyre nën torturë, kur Firmiliani u kishte kërkuar nënshtrimin ndaj idhujve. Edhe këta i dënoi me vdekje si martirët e tjerë.

Ndërsa po i çonin drejt vendit të ekzekutimit, një djalë i ri doli nga turma dhe thirri me zë të lartë, duke kërkuar trupat e martirëve. Porfiri 18-vjeçar, një shërbëtor dhe bir shpirtëror i Pamfilit, u arrestua menjëherë. Magjistrati, më mizor se bishat, ua dorëzoi torturuesve, të cilët i çanë trupin me thonj hekuri derisa i dolën jashtë të përbrendshmet. E copëtuan në mënyrë të frikshme, por ai nuk nxori zë dhe kështu e dënuan të digjej në zjarr të ngadaltë. Ai eci drejt vdekjes porsi një atlet fitimtar. Fytyra i shkëlqente nga hiri hyjnor me sytë drejtuar nga qielli, ndërsa u thoshte miqve të tij udhëzimet e fundit. I lidhur pas një shtylle druri, priti me qetësi flakët, duke mos nxjerrë asnjë britmë dhe fjalë, por vetëm iu lut Jisuit, Birit të Perëndisë, që ta ndihmonte. Selefki, një ish-ushtar që kishte lënë ushtrinë me qëllim që të ishte më pranë të krishterëve që vuanin, shkoi për t’i thënë Pamfilit se si Porfiri kishte mbaruar martirizimin e tij. Ushtarët e kapën ndërsa po përqafonte të dënuarit e tjerë. E çuan para guvernatorit, i cili e dënoi menjëherë me vdekje. Pak minuta më vonë, Theodhuli, një i moshuar shpresëtar, me pozitë në personelin e Firmilianit, bëri të njohur dashurinë dhe besimin e tij për martirët, duke e puthur Selefkin. Edhe atë e sollën para Firmilianit, që sa nuk pëlciste nga zemërimi, urdhëroi ta kryqëzonin, duke e nderuar me një vdekje si të Shpëtimtarit.

Ndërkohë Juliani, një kapadokas i devotshëm i mbushur plot me zellin e Shpirtit të Shenjtë, i cili ishte kthyer në Qesari pas një udhëtimi, shkoi me shpejtësi atje ku ndodheshin trupat e martirëve të shenjtë. Ai i përqafoi dhe i puthi me dashuri një e nga një. Edhe atë e arrestuan dhe e çuan te Firmiliani, i cili e dënoi me vdekje të ngadaltë në zjarr. Me një gëzim të madh, jo të kësaj bote, dhe duke e lavdëruar Perëndinë me zë të lartë, ai iu bashkua korit të martirëve.

Pas martirizimit të Pamfilit, udhëheqësit të kësaj kohorte të ndritur, guvernatori i pabesë dha urdhër që trupi i tij bashkë me të shokëve të flakeshin si ushqim për kafshët e egra. Megjithatë, falë Përkujdesjes Hyjnore, asnjë kafshë nuk iu afrua lipsaneve të tyre, të cilat të krishterët i morën dhe i vendosën me nderim në varre.




Mbrapa

PayPal